
Lezhë- Situata me flakët në Shëngjin mëngjesin e sotëm paraqitet më e qetë pasi dy vatrat më të mëdha të zjarrit e kanë ulur intensitetin e tyre.
Zjarrfikësit kanë vendosur nën kontroll situatën ndërsa po punohet për parandalimin e përhapjes së flakëve. Pritet që gjatë ditës së sotme të ketë një përpjekje nga ajri për shuarjen e plotë të flakëve.
Pas zjarrit të nisur më 29 korrik, situata u përshkallëzua dje pasi flakët dolën jashtë kontrollit duke rrezikuar banesa dhe resorte pranë Ranës së Hedhun. Një shtëpi dhe një lokal u shkrumbuan ndërsa në ndihmë të autoriteteve shqiptare erdhi edhe ndihma evropiane me dy avionë të llojit Canada Air.
Ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla ishte dje i pranishëm në vendngjarje dhe tha se zjarri nuk kishte qenë i qëllimshëm. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por zjarret e mëdha shkaktuan panik tek qytetarët dhe turistët të cilët u evakuuan nga zonat e rrezikuara. Versus.al







