AKTUALITET /

Paralajmërimi i fortë i Artan Hoxhës: Aksioni ndaj grupit të Inez Hajrullës mund të "ndezë" Vlorën

Gazetari flet për rrëmbimin makabër të Elvis Troqes dhe paralajmëron se goditja e SPAK për ngjarje të vjetra mund të prishë ekuilibrat në botën e krimit.

Shkruar nga Versus

Paralajmërimi i fortë i Artan Hoxhës: Aksioni ndaj grupit të

Gazetari i kronikës së zezë Artan Hoxha ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me aksionin e fundit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Vlorë ndaj grupit kriminal të të shumëkërkuarit Inez Hajrulla.

Gjatë një interviste në emisionin "Kjo Javë", Hoxha u ndal te hetimi që lidhet me një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit në qytetin bregdetar: rrëmbimin dhe zhdukjen e Elvis Troqe.

Sipas gazetarit, aksioni i SPAK lidhet me ngjarjen e vitit 2018, kur Troqe u rrëmbye në mes të qytetit dhe më pas u torturua e u vra, ndërsa trupi i tij nuk u gjet kurrë. Hoxha theksoi se kjo ngjarje ishte denoncuar publikisht prej tij që në atë kohë, ndërsa familjarët e viktimës kërkuan për vite me radhë të paktën gjetjen e kufomës.

“Babai i tij shkoi në botën tjetër me fotografinë e të birit në dorë. Ai ishte i bindur se djali ishte vrarë, por kërkonte të paktën trupin”, u shpreh Hoxha.

Gazetari theksoi se operacioni aktual është një hetim historik për një ngjarje të ndodhur vite më parë dhe paralajmëroi se ndërhyrje të tilla mund të prishin balancat në botën e krimit në qytetin bregdetar.

Sipas tij, nëse aksioni godet vetëm një palë, kjo mund të sjellë reagime të dhunshme dhe përplasje të reja mes grupeve rivale. “Nëse do të ketë vrasje të tjera në Vlorë dhe do të goditen njerëz të këtij grupi, atëherë do të kuptohet se aksioni ka prishur ekuilibrat”, tha Hoxha.

Ai shtoi gjithashtu se shumë nga informacionet që çuan në këtë operacion dyshohet se kanë ardhur nga përgjimet e platformës së koduar Sky ECC.

Në analizën e tij, Hoxha kritikoi edhe mënyrën se si janë zhvilluar hetimet ndër vite, duke theksuar se shumë struktura të mëdha kriminale në Shqipëri ende nuk janë goditur. Ai përmendi edhe qytetin e Fier, të cilin e cilësoi si “universitetin e krimit të organizuar”, ndërsa shtoi se SPAK deri më tani nuk ka zbritur thellë në këto struktura.

Gazetari përmendi edhe disa ngjarje të rënda kriminale që sipas tij mbeten ende pa autorë, mes tyre vrasjen me snajper të Gëzim Sinomati në janar të vitit 2024 në Vlorë.

Ndërkohë, operacioni i fundit i SPAK ka çuar në arrestime dhe shpallje në kërkim të disa personave, ndërsa në pranga kanë rënë edhe dy punonjës policie që dyshohet se kishin lidhje me grupin kriminal.

Poll