
Pas zbulimit të një telefoni celular në qelinë e të burgosurit të sigurisë së lartë, Laert Haxhiu, Ministria e Drejtësisë ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke shkarkuar nga detyra dy zyrtarë të burgut të Drenovës.
Ministri Ulsi Manja ka emëruar Lorent Nakon si drejtor të ri të burgut, ndërsa Artan Kocibelli do të mbajë postin e shefit të policisë së brendshme të institucionit.
Zyrtarët e mëparshëm, Fatjon Fasho dhe Sokol Kacoli, u larguan pas zbulimit të një telefoni në posedim të Laert Haxhiut – një prej të burgosurve më të rrezikshëm në vend, i dënuar me burgim të përjetshëm për masakrën e Lushnjës.
Për rastin në fjalë, SPAK ka nisur hetimet, jo vetëm për të analizuar përmbajtjen e telefonit të sekuestruar, por edhe për të ndjekur mundësinë e ndërveprimeve me grupe të tjera kriminale. Dyshohet se disa prej bisedave të Haxhiut janë zbuluar në kuadër të përgjimeve që po kryhen për një çështje tjetër të hapur.
Laert Haxhiu, i njohur si një figurë kyçe në botën e krimit dhe si rival i Aldo Bares, u ekstradua nga Greqia dhe konsiderohet si kreu i një grupi kriminal që dyshohet se ka kryer të paktën 17 vepra penale ndër vite, përfshirë dhe aktivitet të mundshëm në fushën e narkotrafikut.
Hetimet janë ende në zhvillim, ndërsa institucionet po përpiqen të zbulojnë se si një telefon ka mundur të futet në një qeli të sigurisë së lartë.







