Pas gjashtë ditësh përpjekjesh intensive, është vënë më në fund nën kontroll zjarri që përfshiu vendgrumbullimin e mbeturinave në qytetin e Elbasanit.
Burime nga terreni bëjnë të ditur se flakët janë shuar plotësisht, falë angazhimit të 22 forcave zjarrfikëse dhe 5 automjeteve të specializuara, të cilat punuan pa ndërprerje për të neutralizuar situatën.
Në vendin e ngjarjes ka qenë i pranishëm çdo ditë kryetari i Bashkisë Elbasan, si edhe drejtori i Shërbimit Zjarrfikës. Kryetari i bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se “kjo është një betejë që po e fitojmë bashkërisht”, ndërsa theksoi se angazhimi i strukturave vendore dhe qendrore ka qenë maksimal.
Zjarri shpërtheu gjashtë ditë më parë në landfillin e qytetit, duke përhapur një re të dendur tymi toksik mbi Elbasan, që alarmoi banorët për pasojat shëndetësore.
Si rrjedhojë e djegies së mbetjeve urbane, cilësia e ajrit u përkeqësua ndjeshëm, ndërsa qytetarët bënë thirrje të menjëhershme për ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse.
Ata kërkuan transparencë si dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës.
“Duhet të dihet e vërteta. A është ky zjarr pasojë e neglizhencës apo një akt i qëllimshëm? Prokuroria duhet të reagojë dhe të hetojë me shpejtësi. Tymi toksik po rrezikon shëndetin tonë çdo ditë, dhe është e papranueshme që ende nuk kemi një përgjigje,” u shpreh një nga qytetarët të cilët morën pjesë në protestë./Versus.al







