AKTUALITET /

“Pata shumë fat”, turistja amerikane rrëfen momentet e tmerrit pas përmbysjes së furgonit në autostradën Durrës-Tiranë

Turistja përshkroi skenat e panikut mes pasagjerëve, ndërsa tha se ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës ishte vendimtare për dhënien e ndihmës së parë të të plagosurve.

Shkruar nga Versus

“Pata shumë fat”, turistja amerikane rrëfen momentet e

Një nga pasagjeret e minibusit të përfshirë në aksidentin tragjik në autostradën Durrës-Tiranë ka rrëfyer momentet e frikshme që përjetoi gjatë ngjarjes. Turistja amerikane, e cila udhëtonte me autobusin e linjës Berat–Tiranë, tha se ndihet me fat që i mbijetoi aksidentit.

“Pata shumë fat”, u shpreh ajo, duke treguar se gjithçka ndodhi brenda pak çastesh, kur mjeti humbi kontrollin dhe doli nga rruga.

Turistja përshkroi skenat e panikut mes pasagjerëve, ndërsa tha se ndërhyrja e shpejtë e ekipeve të emergjencës ishte vendimtare për dhënien e ndihmës së parë të të plagosurve.

“Po shikoja poshtë dhe më pas ngrita kokën. Ndjeva autobusin që po dilte nga rruga. Kur ngrita sytë, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Papritur autobusi u përmbys në krah dhe njerëzit nisën të bërtisnin. Gjaku po më pikonte, sepse unë isha në anën e poshtme.

Fillimisht kontrollova nëse isha mirë, pastaj dola jashtë. Pas meje po dilte edhe një person tjetër dhe ne dolëm nga pjesa e pasme e autobusit. Njerëzit ishin të gjakosur, bërtisnin. Menjëherë erdhën për të ndihmuar njerëzit nga ndërtesa aty pranë. Ndaluan edhe makinat. Shqiptarët janë njerëz të mrekullueshëm, më sollën ujë. Kjo ishte e gjitha. Unë pata shumë, shumë fat. Falë Zotit”, tha ajo.

Aksidenti ndodhi pasditen e së martës në segmentin Qafë Kashar–Casa Italia të autostradës Durrës-Tiranë. Si pasojë humbi jetën drejtuesi i autobusit 36-vjeçar, ndërsa 12 pasagjerë mbetën të plagosur. Sipas autoriteteve, disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë dhe po marrin trajtim në Spitalin e Traumës.Versus.al

Poll