
Ambasadori i Britanisë së Madhe Nicholas Abbot zhvilloi sot një takim me kreun e SPAK, Altin Dumani duke rikonfirmuar mbështetjen për Prokurorinë e Posaçme.
Në njoftimin e shpërndarë nga ambasada britanike bëhet me dije se diskutimi gjatë takimit të Abbott me Dumanin ka qenë rreth planit të publikuar ditë më parë për parandalimin e krimeve zgjedhore në prag të zgjedhjeve të 11 majit.
“Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Z. Nicholas Abbott, u takua me Z. Altin Dumani, Kreun e Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe rikonfirmoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur SPAK-un.
Në prag të zgjedhjeve, mirëpresim përpjekjet e SPAK për të mbështetur demokracinë shqiptare përmes hetimit të krimeve zgjedhore. Gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK është bërë një nga institucionet më të besuara në Shqipëri dhe është njohur ndërkombëtarisht si i tillë.
Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere krenare e SPAK-ut dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e mëtejshëm në vitin 2025”- thuhet në njoftimin e ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar.
Takimi vjen në një kohë kur u aludua lidhur me pezullimin e fondeve nga SHBA-ja kundrejt institucioneve shqiptare, mes të cilave edhe SPAK. Me këtë takim, Britania e Madhe kërkon të konfirmojë mbështetjen e ndërkombëtarëve për institucionet e posaçme të drejtësisë të krijuara për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta të politikës, por jo vetëm. Versus.al







