
Një planifikim për vrasje është vepra tjetër penale e ngarkuar ndaj grupit të strukturuar kriminal për të cilin SPAK mbylli hetimet sot dhe çoi për gjykim dosjen. Sipas dosjes së SPAK, i pandehuri Ismail Zeneli i cili është shpallur në kërkim edhe për transportin ndërkombëtar të drogës, kishte bashkëpunuar me Bujar Ajetin, Adrian Cenajn dhe shefin e komisariatit nr.6 në Tiranë, Dedan Gjonin për të planifikuar vrasjen e vëllezërve Albert dhe Edmond Nela të cilët rrinin në Britani të Madhe.
Dedan Gjoni, asokohe shefi i komisariatit nr.6 në kryeqytet mësohet se duke përdorur sistemet e Policisë së Shtetit, në të cilat ka patur akses për shkak të detyrës që ushtronte, ka mbledhur të dhëna dhe është vënë në shërbim të qëllimeve të Ismail Zenelit për t’i ardhur në ndihmë për gjetjen e vëllezërve Nela. Ndaj këtyre dy të fundit, Ismail Zeneli kërkonte të hakmerrej për vrasjen e vëllait të tij me emër të ndryshuar Xhem Krasniqi në 2013-ën.
Po ashtu në dosjen e grupit të strukturuar kriminal përmendet edhe Jonida Babameto, ish-specialistja në zyrën e Interpolit në Tiranë e cila i ka vënë në dispozicion Dedan Gjonit informacione të klasifikuara për persona të ndryshëm duke u dhënë mundësi që të planifikonin ngjarje kriminale ndaj kundërshtarëve të tyre. Versus.al







