Të arrestuarit e operacionit “Plumbi i artë 2”, që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të vëllezërve Çopja në Elbasan u shoqëruan sot (2 gusht 2024) në Gjykatën e Posaçme për verifikim të masës së sigurisë.
Seanca që nisi para orës 10: 00 zgjati për disa orë pasi avokatët kërkuan kohë të njihen me aktet.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme caktoi dhe masat e sigurimit për 13 të arrestuarit për disa ngjarje të rënda kriminale
Mësohet se togat e zeza kanë lënë në fuqi masën “arrest në burg” për 11 të dyshuar, një “arrest në shtëpi” dhe një prej tyre “detyrim paraqitjeje”.
Mes personave që ishte caktuar masa sigurie “arrest në shtëpi” ishte edhe ish-gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Pajtime Fetahu. Seanca ndaj saj u zhvillua e veçuar nga të akuzuarit e tjerë.
Ish-gjyqtarja akuzohet për 'Korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal”.
Vetë gjyqtarja e përlotur nuk i pranoi akuzat. Për sekretaren e saj, Denada Toda, GJKKO la në fuqi masën e ndalimit të daljes jashtë vendit.
Të gjithë personat që dolën sot për vlerësimin e masës së sigurisë u arrestuan në kuadër të operacionit ‘Plumbi i artë 2” që zbuloi dhe aktivitetin e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Çopja në Elbasan. Më 29 korrik 2024 GJKKO firmosi 33 masa sigurie, nga të cilat 13 u ekzekutuan ndërsa, 2 rezultojnë të arrestuar më parë jashtë Shqipërisë.
Organizata, thotë SPAK kishte arritur të rekrutonte edhe dy punonjës të policisë së shtetit dhe një punonjëse në gjykatën e Elbasanit që u jepte informacione sekrete. Në njoftimin e bërë publik dje SPAK bënte me dije se vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja, me kalimin e viteve kishin arritur të fuqizoheshin ekonomikisht dhe si rrjedhojë dhe pozitat e tyre në raport me grupet e tjera në trafikun e drogës në Evropë e jo vetëm.
Të paktën 4 atentate me 6 të vrarë, 3 vrasje të mbetura në tentativë, 14 të porositura, dhe grabitja e 4.6 milionë eurove në Rinas në prillin e vitit 2019 janë vetëm disa prej krimeve më të rënda të cilat SPAK ka zbardhur dhe thotë se kanë për autorë organizatën kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja Elbasani. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme u çuan përpara falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol dhe autoritetet holandeze, belge dhe franceze.
SPAK zyrtarisht ende nuk ka bërë të ditur emrat e personave të cilëve u është firmosur urdhër-arresti, por në ditën e operacionit u mësua se mes personave për të cilët ishin firmosur urdhër-arrest ishte edhe ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu, shefi i krimeve në Durrës Agustin Cinari, si dhe nëndrejtori i Burgut të Bradasheshit Martin Musaj.







