Emisioni investigativ “Në Shënjestër” ka publikuar detaje të reja tronditëse mbi aktivitetin e një grupi të strukturuar kriminal, me bazë në Shqipëri dhe Amerikën Latine, të cilët dyshohet se janë përgjegjës për trafikimin e sasisë së jashtëzakonshme prej 16 ton kokainë të kapur në portin e Hamburgut në shkurt të vitit 2021.
Sipas të dhënave të siguruara nga bisedat e zbardhura përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, Ervis Çela dhe Franc Çopja janë dy nga figurat kyçe në zinxhirin komandues të trafikut të drogës. Ata konsiderohen si “menaxherët e operacionit”, duke mbikëqyrur çdo hallkë – nga “kuzhinat” e prodhimit në Paraguaj, deri te logjistika për dorëzimin final në Evropë.
Paratë nga 'token' te gropat në tokë
Përfitimet marramendëse nga ky trafik nuk qarkullojnë vetëm në formën e zakonshme të parave “cash”. Një pjesë e tyre përdoret përmes një sistemi informal transferte, të njohur në terminologjinë kriminale si “token” ose ndryshe sistemi hawala, që i mundëson rrjetit të transferojë miliona euro në mënyrë të padokumentuar, jashtë sistemit bankar zyrtar.
Në Shqipëri, një pjesë e këtyre të ardhurave ruhen në mënyrë primitive – duke u groposur në tokë. Kjo vërtetohet nga komunikimet mes Albin Çelës, që ndodhet në Shqipëri, dhe vëllait të tij Ervis Çela, i cili drejton trafikun nga Paraguaji.
Bisedë e zbardhur nga Sky ECC:
Albin Çela: “Po bëj gropën zemra…”
Ervis Çela: “Se paske mbush 2M…”
Albin Çela: “I bëre 60 mln?”
Ervis Çela: “Jo, nuk i kam bërë.”
Albin Çela: “Ok, se do i bësh… Të rregullosh kalamajtë…”
Sipas dokumentacionit të siguruar, Albini i dërgon vëllait të tij foto të parave që ka groposur brenda fuçive nëntokësore, me një vlerë prej 1 milion e 750 mijë euro.
16 ton kokainë bien në duart e autoriteteve
Ngarkesa me drogë ishte fshehur në dy kontejnerë që mbërritën në portin e Hamburgut më 9 shkurt 2021, me dy ditë vonesë nga data e planifikuar. Më 10 shkurt, autoritetet gjermane, në bazë të analizës së riskut, vendosën të kalonin kontejnerët në skaner.
Kjo krijoi alarm te trafikantët. Paniku dhe pasiguria reflektohen në mënyrë të qartë në mesazhet e tyre.
Bisedë mes Ervis Çelës dhe Franc Çopjas:
Ervis Çela: “Ishalla po mbaron punë nesër… Për ndryshe duhet të anullojmë punën këtu…”
Franc Çopja: “Mbaroj kjo puna ime, duket se u kap… Dogana ka marr 3 kuti për t’i çuar në skanerin e vet…”
Ervis Çela: “Na fikën…”
Dyshimet e tyre u konfirmuan shumë shpejt. Autoritetet gjermane zbuluan një sasi rekord droge:
5 kontejnerë me destinacion Izraelin, por që ishin nisur nga Paraguaji.
576 bombola teneqeje të kontaminuara me kokainë.
Çdo bombol përmbante 8 pako kokaine – në total 13,824 pako.
Pesha e përgjithshme: 16,174 kg kokainë (rreth 16 ton).
Kjo ishte një nga kapjet më të mëdha të kokainës në Evropë.
Një tjetër hallkë e rëndësishme në skemë është Bolivia, e cila, për shkak të mbikëqyrjes së dobët bankare dhe pozitës së saj gjeostrategjike, përdoret si pikë kyçe për finalizimin e transaksioneve financiare të paligjshme.







