AKTUALITET /

Protestuesi nga Londra: Lëre Shqipërinë të gdhihet e lirë më 22 qershor

Shkruar nga Versus

Protestuesi nga Londra: Lëre Shqipërinë të gdhihet e

Një qytetar i ardhur nga Britania e Madhe mori fjalën gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, ku i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të japë dorëheqjen deri më 21 qershor dhe kërkoi krijimin e një qeverie teknike për një periudhë 12-mujore.

Në fjalimin e tij, ai krahasoi rrugëtimin e tij si emigrant me atë të kryeministrit, duke deklaruar se Rama kishte ardhur dikur në pushtet me premtimin për ndryshim, por sipas tij është shndërruar në një drejtues autoritar. Protestuesi theksoi se demonstratat e organizuara nga diaspora në Britani kanë pasur vazhdimisht si kërkesë dorëheqjen e kryeministrit.

“Ju rrezatoni shpresë, ndryshim, revolucion. Kam ardhur nga Londra. Iu drejtova shqiptarëve: Edi Rama, unë si ti, ne emigruam nga Britania, ti erdhe nga Parisi. Ti e kishe një zgjedhje, unë e kam zgjedhjen. Ti erdhe si model i një njeriu tolerant, që do të sillte ndryshim. Shihe si je transformuar, në një njeri autoritar.

Në të gjitha protestat që kemi bërë në Londër, kemi sjellë një mesazh për dorëheqje. Në 36 vite kemi parë parti që protestojnë për të hequr një regjim e për të sjellë një tjetër. Kjo protestë është protestë qytetare për revolucion, për transformim, për reforma demokratizuese.

Kjo është shpresë për të realizuar proceset demokratike që i lamë në mes në vitin 1996 dhe ju sot po i realizoni në vitin 2026. Kjo është lëvizje qytetare, por kërkon reforma politike.

Nga Britania i kërkojmë Ramës dorëheqjen dhe qeveri teknike që të udhëheqë vendin me procese demokratike për 12 muaj. Qeveria teknike, e cila do të udhëheqë vendin për 12 muaj, duhet të mandatohet që të garantojë ndryshimin e Kodit Elektoral. Ne i kërkojmë lista të hapura që Parlamenti nesër të ketë deputetë me parim dhe moral. Ramën e sfidoj, jep dorëheqjen deri më 21 qershor dhe lëre atdheun të gdhihet i lirë të hënën më 22 qershor”, u shpreh ai.

Tags:

proteste

Poll