AKTUALITET /

Rama: Po “sakatohet” dhe varfërohet gjuha shqipe, kam nisur të shkruaj një libër

Rama tha se është tragjike mënyra se si po “sakatohet", varfërohet dhe po sulmohet gjuha shqipe

Shkruar nga Versus

Rama: Po “sakatohet” dhe varfërohet gjuha shqipe, kam nisur

Kryeministri Edi Rama në podkastin “Flasim”, ku e ftuar ishte Natasha Shuteriqi Poroçani, mbesa e shkrimtarit dhe publicistit elbasanas Dhimitër Shuteriqi theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe si shtyllë e identitetit tonë kombëtar dhe ruajtjen dhe kultivimi i saj.

Rama e quajti veten “një dashnor shumë të përkushtuar të gjuhës shqipe”, duke rikujtuar se i pëlqen të shkruajë. Kryeministri e cilësoi gjuhën shqipe unike në disa drejtime.

“E kam kënaqësi të posaçme kur shkruaj. Nuk kam mundësi të ulem para një kompjuteri dhe të rri të shkruaj si më parë, kur kam shkruar ‘Kurbanin’, që është shkruar në një periudhë dymujore dhe pandërprerë. Por tani në avion, në makinë, më pëlqen shumë që të shkruaj copëza gjërash që lidhen me punën dhe me fjalimet”, u shpreh Rama.

Kryeministri zbuloi se është duke përgatitur një libër të ri me fjalët e “Sofrës së Iftarit”. “Thjesht për kënaqësinë e shqipes”, tha Rama.

Për Ramën është tragjike mënyra se si po “sakatohet", varfërohet dhe po sulmohet gjuha shqipe.

“Tanimë janë futur shkurtimet. Viktima e parë e gjuhës shqipe ishin gërmat ‘ë’ dhe ‘ç’. Kur shkova në Ministrinë e Kulturës vura një gjobë për ata që bënin shkresat pa ‘ë’ dhe ‘ç’ dhe nuk i firmosja shkresat”, tha ndër të tjera Kryeministri.

Ndërsa Natasha Shuteriqi Poroçani, e cila është shkrimtare, studiuese dhe lektore pranë Departamentit të Gjuhës Shqipe, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës kërkoi që gjuha shqipe të futet edhe në arsimin e lartë./Versus.al

Poll