Rreth 13 ton akullore me oksid etileni janë shitur vitet e fundit në Shqipëri. Lajmin e bujshëm e riktheu në vëmendje kreu i KLSH-së, Arben Shehu, gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.
Versus. al ka siguruar raportin tronditës të përpiluar nga KLSH-ja në 2021, ku qartazi, sipas këtij institucioni, autoritetet bënë pak ose aspak për të dhënë alarmin për sasinë e konsiderueshme të akullores me përmbajtje të lartë oksidi etileni që kishte hyrë ndërkohë në treg nga dy kompani. Në 32 faqe raport, jo vetëm përshkruhet auditimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, por dhe vonesat e habitshme në vënien në funksion të strukturave që për detyrë kanë pikërisht ruajtjen e mbrojtjen e konsumatorit. Por më parë, le të kuptojmë pse oksidi etilenit është kaq i rrezikshëm…
Çfarë është oksidi i etilenit
Mes viteve 2020 dhe 2021, në disa shtete evropiane, shumë produkte ushqimore si akullore të paketuara, fara susami, erëza të ndryshme dhe suplemente u tërhoqën nga tregu. Arsyeja e tërheqjeve të konsiderueshme ishte prania, përtej kufijve ligjorë, të oksidit të etilenit. Kjo substancë, është e ndaluar në Evropë që nga viti 1991 për shkak se është potencialisht kancerogjene. Ajo përdoret ende në vende si India, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja për produkte të ndryshme ushqimore, të cilat importohen edhe në kontinentin e vjetër. Por Bashkimi Evropian ka qenë i qartë për përdorimin e oksidit të etilenit në ushqim: ushqimet e pasigurta nga importet duhet të hiqen nga zinxhiri i furnizimit ushqimor dhe të hidhen në përputhje me legjislacionin evropian. Më tej, nga viti 2022 kufiri maksimal i etilenoksidit të toleruar në aditivë është 0.1 mg/kg.
Oksidi i etilenit është një dezinfektues i gaztë, i përdorur në mënyrë industriale për aftësinë e tij për të frenuar dhe vrarë bakteret, kërpudhat dhe viruset. Këto veti e kanë bërë atë, në sektorin ushqimor, një alternativë ndaj pasterizimit, veçanërisht për ushqimet termo-lëvizëse, pra ato që preken nga temperaturat e larta të procesit të pasterizimit. Por oksidi i etilenit në të njëjtën kohë, klasifikohet si kancerogjene, gjenotoksike dhe mutagjene për njerëzit.
Raporti i KLSH
Fillimisht njoftimet nga Sistemi RASFF (sistemi i informimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë) mbi prezencën e substancës së paautorizuar (oksid etileni) në akulloret e prodhuar në Francë, u bënë për vendet anëtare të BE, por edhe vendet jo anëtare që kanë marrëveshje me këtë organizatë duke përfshirë edhe Shqipërinë.
AKU-ja, asaj kohe e drejtuar nga Bledar Skenderi, u njoftua mbi prezencën e substancës së paautorizuar të “oksid etilenit” në stabilizuesin lygomme, i përdorur për prodhimin e akullores nga Franca.
Njoftimi i parë është bërë nga autoriteti i sigurisë ushqimore në Spanjë, i cili ka raportuar prezencën e substancës së paautorizuar të oksidit të etilenit në përbërësit e akulloreve, për disa lote të importuara edhe në vendin tonë, përgjatë periudhës Mr-maj 2021 nga fabrika e prodhimit të akulloreve ‘Bn’, ‘Sn’, dhe ‘Tx’ në Francë.
Në këtë periudhë, sipas deklarimeve të AKU, kanë hyrë në vendin tonë 35.984.53 kg, nëpërmjet importit nga dy distributorë të këtyre lloj akulloresh me lotet e deklaruar nga sistemi RASFF (sistemi i informimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë) me prezencë të oksidit të etilenit.
E që këtu nis odiseja e akulloreve. Kontrolli Lartë i Shtetit në auditim vlerëson se në vendin tonë kanë hyrë 38,721.45 Kg, pra gati 3 ton më shumë sesa raporton AKU-ja.
Nga shqyrtimi i komunikimit me e-mail të strukturave përgjegjëse pranë AKU-së për raportimet e RASFF dhe njoftimeve zyrtare të shfaqura në faqen zyrtare të saj, rezulton se: Më datë 27 korrik 2021 ora 15:58, Sistemi RASFF ka informuar shtete të ndryshme, ku përfshihet edhe Shqipëria (si shtet distributor) për praninë e oksidit të etilenit në akulloret e importuara.
Sektori i informimit të shpejtë dhe mbikëqyrjes së tregut (sektori i aktivitetit shkencor dhe komunikimit me RASFF) në dy raste, nuk ka përcjell njoftimin e datës 27.07.2021 ora 15:58 dhe datës 29.07.2021 të RASFF, strukturave përgjegjëse të AKU-së, e cila si institucion deri në deri në përfundim të periudhës së auditimit datë 07 gusht 2021, nuk pati evidencë mbi informimin e publikut, në lidhje me sigurinë ushqimore për produktet që kanë qarkulluar me probleme, sipas njoftimit të RASFF.
KLSH-ja vlërëson se nga Drejtori i Përgjithshëm i AKU nuk ka nxjerrë një urdhër i brendshëm për 12 Drejtoritë Rajonale të Ushqimit, me qëllim kryerjen e inspektimeve dhe ndjekjen e gjurmueshmërisë së produktit “Akullore” deri tek subjektet fundore të furnizuara me këtë produkt
Nga përllogaritja e grupit të auditimit të KLSH, të sasisë së importuar rezulton se janë importuar 2.7 Ton më shumë akullore, nga deklarimi i bërë nga AKU
Nga përllogaritja e grupit të auditimit të KLSH, të sasisë së konsumuar rezulton se janë konsumuar 2 Ton më shumë akullore, nga deklarimi i bërë nga AKU.
Dy ditë pas njoftimit të parë, më datë 29 korrik 2021, Sistemi RASFF ka informuar 47 vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Shqipërinë, mbi kontaminimin e përbërësit Lygomme FM 4600 me Etilene Oxid, të disa loteve të akulloreve Tx, Sn dhe Bn të prodhuara në fabrikën Mr në Francë.
Por, përsëri ku alarm ka rënë në vesh të shurdhët, duke mos ndezur ende “motorët e reagimit” në mbrojtje të qytetarëve…
Ndërsa në datën 30 korrik të 2021, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur dokumenta që kanë ardhur dy njoftime gjatë ditës, duke çuar kështu në 4 numrin e sinjalizimeve.
Dhe vetëm pak para mesnatës së 30 korrikut të 3 viteve më parë, rreth orës 23:49:50, specialistja e sektorit të aktiviteteve shkencore dhe komunikimit me RASFF i ka dërguar e-mail me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut dhe Koordinimit të Kontrollit Zyrtar, duke e informuar mbi njoftimin e datës 29korrik 2021, nga sistemi RASFF i kategorisë: Alert me temë: “Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”.
‘Më datë 30.07.2021 ora 23:49:50, specialistja e sektorit të aktiviteteve shkencore dhe komunikimit me RASFF znj. P.D i ka dërguar e-mail z. H.A me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Riskut dhe Koordinimit të Kontrollit Zyrtar në AKU, duke vendosur në “ç” edhe Drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së, duke e informuar mbi njoftimin e datës 29/07/2021, nga sistemi RASFF i kategorisë: Alert me temë: “Substancë e paautorizuar oksid etileni në stabilizuesin lygomme të përdorur për prodhimin e akullores nga Franca”, me numër reference 2021.3976, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, fup2. ‘ – thuhet në raportin e KLSH-së.
Në ditët në vijim, institucioni i ka nisur një shkëmbim e-mailesh mes tyre, por ndërkohë sasia e akulloreve duket se kishte nisur të “avullonte”, nga magazinat drejt pikave të shumicës dhe pakicës, e kësisoj drejt e në duart e konsumatorëve. Dhe ajo çka e rëndon situatën në raport lidhet me faktin që veç një e-mail të brendshëm, nuk u njoftuan drejtoritë lokale të AKU-së të ushtronin krontrolle urgjente dhe të këputej zinxhiri i shpërndarjes shpejt pa shkuar akulloret masivisht në duart e qytetarëve, që nga fëmijët deri në pleqtë. Nga ana tjetër, thekson raporti, as qytetarët nuk u njoftuan për rrezikun në qytetet ku ishte shpërndarë akullorja e kontaminuar.
“Pas këtij momenti dhe në zbatim të përcaktimeve ligjore, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së, duhet të nxjerrë një urdhër të brendshëm, ku të urdhëroj 12 Drejtoritë Rajonale të AKU-së, për kryerjen e inspektimeve jashtë planit të miratuar me qëllim: 1. Gjurmimin e plotë të produktit akullore, tek subjektet në tregun shqiptar, të cilat janë furnizuar me këtë produkt;
2. Subjektet fundore që janë furnizuar me produktin “akullore”, a janë njoftuar nga furnitori i tyre i parë (M.D/R);
3. Nëse po, a janë njoftuar të gjithë subjektet;
4. Nga dita që janë njoftuar, a kanë shitur akullore;
5. A i kanë veçuar nga ambjentet e tregëtimit, akulloret jo të sigurta për konsum njerëzor;
6. Në datën që janë njoftuar nga furnitori i tyre, a ka patur konsumator të cilët kanë blerë akullore, dhe nëse po, a i ka marrë masat e nevojshme subjekti, që të njoftojë me të gjitha mënyrat konsumatorin, që mos ta konsumojë akulloren;
7. A po e respektojnë detyrimin ligjor subjektet për kthimin e akullores në furnitorin e tyre. Këtë veprim Drejtori i Përgjithshëm nuk e ka bërë” - vijon më tej raporti i KLSH.
Një shkelje tjetër e evidentuar lidhet dhe me procesin e asgjesimit të akullores që duhej të dilte nga tregu.
“Gjithashtu konstatohet se në praktikën e inspektimit nuk administrohet dokumenti i transferimit të mbetjeve në Landfillin e Bushatit, në të cilin përcaktohen qartë detyrat për gjeneruesin e mbetjeve, transportuesin, pranuesin (pra personi përgjegjës në Landfillin e Bushatit).” - thuhet në raport
Ndërkohë, nga rakordimi i të dhënave me hyrje-daljet e tonelatave të akulloreve, kreu i KLSH-së thotë se rreth 13 ton kanë mbeten tek konsumatorët, që me gjasë e kanë konsumuar këtë sasi. Për këtë dosje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në Prokurori ish-drejtues të AKU-së si dhe një grup punonjësish./ Versus.al
Dokumenta bashkëngjitur







