AKTUALITET /

Reagon ashpër Rama për ndërtimet në Theth e Prokurorinë Shkodër: “Kabinat do t’i marrë shteti, denoncim për prokuroren Gjeli”

Kryeministri theksoi gjithashtu se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur një denoncim zyrtar për skandalin “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Shkruar nga Versus

Reagon ashpër Rama për ndërtimet në Theth e Prokurorinë
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërisht ashpër pas zhvillimeve të fundit lidhur me ndërtimet pa leje në Theth, duke theksuar se “të gjitha kabinat e ‘fshatit turistik’ të ndërtuar nga krimineli që plagosi Thethin do të sekuestrohen nga shteti”. Por në reagimin e tij, të riformoluar pak minuta pas publikimit Rama i "ka kthyer kusurin" dhe Prokurorisë së Shkodrës. 

"Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë
POR NA DOLI PROKURORIA E SHKODRËS me deklaratë duke mbajtur anën e Gjelit, me teorinë që ato ngrehina qenkeshin pa themele e ai liqen betoni në livadh qenkej i pafajshëm, kështu që Policia e Shtetit e paska pasur gabim që ka kërkuar ndjekje penale për autorin e asaj masakre
Deklarata e Prokurorisë Shkodër meriton një vëmendje të veçantë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, sepse e zgjeron skandalin “Gjeli” duke hedhur hije mbi aftësinë e asaj prokurorie për të arsyetuar logjikisht, e jo më pastaj për të vepruar ligjërisht" - shkruan Rama. 

Në postimin në Facebook, Rama tha se ekipet e Bashkisë Shkodër nuk do të largohen nga zona pa “shëruar zemrën e qytezës magjike”, duke lënë të kuptohet se do të ketë ndërhyrje të menjëhershme në territor.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Ministria e Drejtësisë është duke përgatitur një denoncim zyrtar për skandalin “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Ky veprim vjen pas vendimit të prokurores Elsa Gjeli për të mos nisur procedim penal ndaj ndërtimeve në Theth, të cilat Prokuroria e Shkodrës i ka klasifikuar si kontenjerë të përkohshëm dhe jo objekte ndërtimi me leje të detyrueshme.

“Kabinat do i marrë shteti. Skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do largohet pa e shëruar zemrën e Thethit. Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit ‘Gjeli’ në KLP”, - shkroi Rama.

Ky reagim vjen pas debatit të ndezur mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit mbi mënyrën si po trajtohen shkeljet e pretenduara në zonat e mbrojtura turistike.

 

Poll