Gjykata e Elbasanit ka rrëzuar kërkesën e ish-kryebashkiak të Kukësit, Safet Gjici për të kryer pjesën tjetër të dënimit në shtëpi. Gjici nuk ishte i pranishëm në seancë por u përfaqësua nga avokati i tij.
Njoftimi i Gjykatës:
Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan në kuadër të transparencës, me qëllim mirëinformimin e publikut në vlerësim të interesit të lartë publik, informon në lidhje me seancën gjyqësore të Kërkesës Penale në Fazën e Ekzekutimit të paraqitur nga kërkuesi Safet Gjici me objekt “Zëvëndësim i Vuajtes së Dënimit me Qëndrim në Shtëpi”.
Në seancë nuk u paraqit kërkuesi Safet Gjici, u paraqit mbrojtja përfaqësuar nga av. Markeljan Jança, u paraqit organi akuzёs me prokuror z. Ledian Tema, u paraqitën Ekspertët Mjekoligjorë. Shërbimi i Provës ka paraqitur aktin e ekspertimit. U paraqit përfaqësuesi ligjor i Institucionit të Vendimeve Penale Lushnje.
Sot më datë 30.01.2025, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan me trup gjykues të përbërë nga: Kryesues Gjyqtar znj. Suela Lika në përfundim të gjykimit, pasi dëgjoi palët në diskutimin përfundimtar me vendim Nr. 295 Vendimi të datës 30.01.2025 në zbatim të neneve 112, 379, 470 të Kodit të Procedures Penale dhe nenit 59/a e Kodit Penal vendosi:
Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Safet Gjici,
Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen kërkuesit Safet Gjici,
Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit
U shpall Elbasan, sot më date 30.01.2025
Kujtojmë se ish-kryetari i Bashkisë Kukës, Safet Gjici u dënua me 3 vite burgim nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë Alma Kaçi u dënua me 1 vit burgim nën akuzën e prostitucionit.
Safet Gjici dhe Alma Kaçi akuzohen lidhur me video-skandalin në zyrën e bashkisë, ku dyshja kryen marrëdhënie seksuale. Video skandali nga ambientet e zyrës së bashkisë Kukës u publikua në qershor të 2023-it.
Më 7 shkurt 2024, Gjykata e Posaçme shpalli verdiktin dhe dënoi me 3 vite burgim ish-kryetarin e bashkisë së Kukësit, Safet Gjici për akuzën e korrupsionit. Sakaq për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi për Gjicin u ul me 1 vit./Versus.al







