AKTUALITET /

Sherri masiv në Palasë / Zhduket DVR-ja e lokalit, Koçeku nuk bën kallëzim: Jemi miq

Karafila e shampanja për këngëtarit grek ranë në tavolinën e të kërkuarit Fatmir Bejo, shkak për sherrin me grushta në Palasë.

Shkruar nga Versus

Sherri masiv në Palasë / Zhduket DVR-ja e lokalit, Koçeku nuk

Njësia qendrore që regjistron pamjet filmike të lokalit të natës Club “Sin”, në zonën e Palasës është zhdukur menjëherë pas sherrit të dhunshëm mes dy grupeve të fortësh, ku mbeti i plagosur biznesmeni Artur Koçeku.

Megjithëse kamerat e lokalit janë të instaluara në disa këndë të këtij lokali, ka rezultuar se DVR-ja është hequr nga pozicioni i saj në rrethana të çuditshme, duke bërë të pamundur kapjen e pamjeve filmike nga policia e Himarës.

Një person ende i paidentifikuar është kujdesur me shpejtësi për të hequr njësinë qendrore, duke kryer kështu veprime që pengojnë zbulimin dhe zbardhjen e të vërtetës.

Sipas hetimeve të kryera deri në këtë fazë ka rezultuar se shkak i sherrit janë bërë karafilat dhe shampanja që i është hedhur për nder këngëtarit grek, Konstandinos Argiros. Tradita greke, e kërkon që artistëve që interpretojnë në skenë ti hidhen karafila dhe shampanjë.

Por karafilat dhe shampanja nuk ka rënë në skenë por në tavolinën ku qëndronin Fatmir Bejo, miqtë e tij të shoqëruar me disa femra.

Këta kanë filluar të kërkojnë llogari se pse u hodhën karafilat në tavolinën e tyre, duke u kapur me fjalë me grupin e djemve ku qëndronte, biznesmeni Lucjano alias Artur Kuçeku.


Këtu ka filluar shkëndija e parë, duke sjellë dhe përplasjen e dhunshme më pas, ku si pasojë e të cilët mbeti i plagosur në kokë, Artur Koçeku. “Ora News” mëson se ky i fundit tashmë ka dalë nga spitali dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Nga ana tjetër gazetari i “Ora News” Elton Qyno është informuar se biznesmeni Artur Koçeku dhe një person tjetër që ka mbetur i plagosur kanë dhënë deklaratë në policie se nuk duan ta ndjekin ligjërisht këtë çështje, pasi veprimet që ata kanë kryer i kanë bërë në gjendje të dehur.

Sipas Koçekut ai dhe personat e tjerë të përfshirë në këtë ngjarje janë shokë me njëri-tjetrin, ndaj nuk ka preferuar të bëjë kallëzim në polici.

Megjithëse përplasja brutale ka ndodhur në orë e para të mëngjesit, mësohet se policia ka njoftuar prokurorinë vetëm pasi në media ka dalë video që tregonte përleshjen mes të dyja palëve. Tashmë policia ka referuar rastin në prokurorinë e Vlorës për vlerësimin juridik të çështjes.

Pritet që në ditët në vijim prokuroria të shqyrtojë rastin, duke lënë një seri detyra për policinë për hetimin e kësaj dosje.

Për këtë ngjarje në kërkim janë shpallur Xhoni Spaho nga Tirana, Genti Baleci nga Durrësi, Fatmir Bejo dhe Klajdi Cerri nga Tirana, por asnjëri prej tyre nuk është arrestuar. / ORANEWS

Poll