AKTUALITET /

Shkatërrohet grupi i trafikut të armëve Kosovë-Shqipëri, 14 të arrestuar! Sekuestrohen 55 armë zjarri dhe granata

Armët vinin nga Turqia, modifikoheshin në Kosovë dhe më pas trafikoheshin për në Shqipëri.

Shkruar nga Versus
Shkatërrohet grupi i trafikut të armëve
Armët e sekuestruara

Pas më shumë se 9 muajsh hetime, policia e Shqipërisë dhe Kosovës në bashkëpunim me njëra-tjetrën kanë goditur një grup kriminal të trafikut të armëve të cilat vinin nga Turqia, modifikoheshin në Kosovë dhe më pas shiteshin në Shqipëri.

Në total janë arrestuar 14 persona, 8 prej tyre në Kosovë dhe 6 në Shqipëri. Të arrestuarit në Kosovë janë identifikuar me inicialet si më tej: V.O., K.K., S.H., Sh.J., A.H., Z.A., A.D., dhe B.A.

Shkatërrohet grupi i trafikut të armëve

Ndërsa në Shqipëri, kanë rënë në pranga Euxhenjo Manushi, Endri Papa, Aurel Manreka, Gersi Llozha, Kleo Mucalliu dhe Tonin Shkambi. Mes tyre, rezulton emri i 20 vjeçarit Euxhenjo Manushi i cili aktualisht ndodhet në arrest me burg pasi ditë më parë u arrestua me 1 kg kokainë në makinën ku qarkullonte me shokun e tij Klajdi Serjani, nipin e ish-të dënuarit për gjobëvënie Pajtim Serjani.

Operacioni është mbështetur edhe nga Europol, ndërsa autoritetet e Shqipërisë dhe Kosovës kanë shkëmbyer informacione në kohë reale për kapjen e anëtarëve të grupit që hetohej prej muajit shkurt.

Armët e sekuestruara

Në Kosovë janë sekuestruar 29 pistoleta dhe 3 armë të gjata të modeleve të ndryshme, 2635 fishekë/municion të modelit të ndryshëm, 2 automjete dhe pajisje tjera TIK.

Ndërsa gjatë kontrolleve në Shqipëri janë sekuestruar 22 armë zjarri ‘Zoraki’, një armë zjarri Ak 47, një granatë dore ofensive dhe 470 fisheke të llojeve të ndryshme. Gjithashtu u sekuestruan edhe 3 automjete dhe shuma të konsiderueshme parash e 10 aparate celulare.

Kontrolle janë zhvilluar në Tiranë, Prishtinë e Ferizaj. Ndërsa prokuroritë përkatëse kanë vijuar me materialet proceduriale ndaj personave të arrestuar. Versus.al

Poll