
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me një rezolutë të veçantë, caktoi 5 shtatorin, përvjetorin e vdekjes së Shën Nënë Terezës, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.
Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë u krijua me qëllim të sensibilizimit dhe mobilizimit të njerëzve, OJQ-ve dhe palëve të interesuara në mbarë botën për të ndihmuar të tjerët përmes aktiviteteve vullnetare dhe filantropike.
Kjo ditë shënohet edhe si njohje e rolit të bamirësisë në zbutjen e krizave humanitare dhe vuajtjeve njerëzore brenda dhe ndërmjet vendeve, si dhe për përpjekjet e organizatave dhe individëve bamirës, përfshirë kontributin e jashtëzakonshëm të Shën Nënë Terezës.
Ky shtator shënon 27 vite nga ndarja nga jeta e humanists shqiptare e cila fitoi dhe çmimin Nobel për paqe.
"Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.
Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme të cilën e deshën të gjithë. Për veprat e mira që bëri, Nënë Tereza u shenjtërua nga Papa Françesku më 5 shtator 2016.
Pas vdekjes së saj, shumë persona nga vende të ndryshme të botës kanë dëshmuar për mrekulli të ndodhur pas lutjeve para ikonës së Nënë Terezës. Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Shenjtorja ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në Kalkutë të Indisë. Versus.al







