AKTUALITET /

'S'ka kthim mbrapa'/ Pranoi kokëulur vrasjen e babait në Shënavlash, Gjykata lë në burg autorin dhe shokun e tij, detaje nga dëshmitë

Esmerald Balla është shprehur i penduar para gjykatës për aktin e rëndë që ka kryer

Shkruar nga M.H
'S'ka kthim mbrapa'/ Pranoi kokëulur vrasjen e babait
Edison Brahaj dhe Esmerald Balla para Gjykatës

Gjykata e Durrësit ka dhënë ditën e sotme masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për Esmerald Ballën, i cili vrau babain e tij për motive ekonomike dhe më pas e hodhi në pus me ndihmën e bashkëpunëtorit të tij Edison Brahaj, po ashtu i lënë në masën e sigurisë 'arrest me burg'.

Esmerald Balla është shprehur i penduar para gjykatës për aktin e rëndë që ka kryer.

'S'ka kthim mbrapa e bëra për vetëmbrojtje', ka thënë autori para gjykatës.

Kurse i ndaluari tjetër, Edison Brahaj, ka deklaruar nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, se në polici është dhunuar që të pranojë bashkëpunimin, por i pyetur nga gjykatësi ditën e sotme, Brahaj ka hedhur poshtë versionin e dhunës dhe gjithashtu të bashkëpunimit në vrasje.

Ai ka deklaruar se ka marrë 200 mijë lekë nga Esmeraldi, por jo për të fshehur krimin, pasi ishin paratë që ai kishte punuar në fermën e familjes Balla.

MOTIVI

Si rezultat i veprimeve intensive u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, kapja dhe arrestimi i djalit të shtetasit Enver Balla, konkretisht shtetasi Esmerald Balla, 30 vjeç, i cili ka pranuar autorësinë e këtij krimi, pas një konflikti që kishte me babanë për një shumë lekësh (7 500 000 lekë të rinj, kursime të përbashkëta familjare) që dyshonte se ia kishte vjedhur 62-vjeçari.

30-vjeçari, më datë 13.08.2024, në afërsi të stanit të tyre në arat e fshatit Shënavlash, pasi është konfliktuar fizikisht me babanë e tij, e ka vrarë atë, me armë zjarri tip pistoletë me dy plumba.

Armën e krimit e ka hedhur në një kanal, ndërsa trupin e babait e ka transportuar dhe hedhur në një pus në një arë të këtij fshati, rreth 1 kilometër larg nga vendi i ngjarjes, së bashku me ndihmën e shokut të tij, i cili gjithashtu akuzohet për veprat “fshehje ose asgjësim i kufomës”, “moskallëzim i krimit” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Pas vrasjes dhe hedhjes në pus të kufomës, më 15 gusht, Esmerald Balla ka denoncuar në polici largimin e babait nga banesa dhe ka nisur të vijojë me skenarin e zhdukjes së babait me një grua duke marrë me vete kursimet e familjes në vlerën e 7,5 milion lekëve. / Versus.al