AKTUALITET /

Skandali i mikrokredive, Dumani: Ka kërkesa të shumta por nuk hetojmë rastet e qytetarëve që janë mashtruar

Kreu i SPAK, u pyet edhe për skandalin e mikrokredive, viktimë e të cilave kanë mbetur mijëra shqiptarë.

Shkruar nga B.SH
Skandali i mikrokredive, Dumani: Ka kërkesa të shumta por nuk
Altin Dumani

Në lidhje me disa 'dosje të nxehta' që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme kreu i SPAK Altin Dumani ka pasur një komunikim jo zyrtar me gazetarët.

Kreu i SPAK, u pyet edhe për skandalin e mikrokredive, ku mijëra shqiptarë kanë mbetur viktimë.

I pyetur se sa kallëzime ka për këtë çështje ai tha:

“Ne kemi vetëm një çështje të regjistruar, por nuk hetojmë rastet e qytetareve që janë mashtruar. Kemi një hetim, për një objekt konkret. Nuk bëj komente. Realisht dhe ne na vjen keq që qytetarët përplasen në dyert tona dhe për personat që vijnë për çështje të ndryshme që nuk janë në kompetencën tonë. Shpreh keqardhjen për atë qe ndodhi përpara dyerve të SPAK. Ka kërkesa të shumta nga qytetarët, ligji na e ka përcaktuar qartë kompetencën tonë"

Pak ditë më parë 63 vjeçari Pal Trashaj kreu vetëvrasje në dyert SPAK duke pirë fotoksinë pasi kishte shkuar për të gjetur drejtësi për mashtrimin me mikrokreditë.

Përmes një reagimi të bërë publik në media, SPAK pranoi se Trashaj është paraqitur tek oficeri i informacionit dhe se kishte kërkuar takim me një nga hetuesit e BKH-së për një çështje e cila pas verifikimeve ka rezultuar se i ka kaluar për kompetencë një prokurorie të juridiksionit të përgjithshëm që në vitin 2022. 

Më pas, SPAK sqaroi se oficeri i informacionit i ka bërë me dije qytetarin të presë sa të njoftojë hetuesin e çështjes mbi kërkesën e tij.

“Pas disa orësh, jashtë ambjenteve të SPAK, janë parë shërbimet spitalore të urgjencës dhe aty është mësuar rreth veprimit të ndërmarrë nga z. Trashaj. Institucioni ynë ka bërë menjëherë verifikimet rreth këtij incidenti për të sqaruar çdo veprim të punonjësve të tij. Prokuroria e Posaçme, garanton se do t’i përgjigjet në kohë çdo qytetari me korrektësi dhe në zbatim të ligjit për çështje që janë në kompetencën e saj.” – u tha në reagimin e SPAK.

 

Poll