AKTUALITET /

Skandali te Onkologjiku, “dosje e rëndë” për Prokurorinë e Tiranës! I kalon SPAK-ut për hetim

Dosja e hetimit i ka kaluar SPAK-ut tre ditë më parë.

Shkruar nga Versus
Skandali te Onkologjiku, “dosje e rëndë” për
Ish-doktoresha Alketa Pere, ish-doktor Edmond Gashi dhe ish-zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi

Tiranë- Prokuroria e kryeqytetit ka shpallur moskompetencën për hetimin e dosjes së skandalit të spitalit të Onkologjikut ku u zbulua se mjekët abuzonin me detyrën duke mos trajtuar pacientët me kancer teksa i drejtonin në klinika private.

Versus.al mëson se dosja e hetimit për skandalin që ngriti në këmbë shtetin, i ka kaluar SPAK-ut, teksa formulohet edhe akuza për 'grup të strukturuar kriminal'. Vendimi për t'ja kaluar çështjen SPAK-ut për hetim më të thelluar u mor nga prokurori Bledar Valikaj.

Skandali u zbulua pas denoncimit të një familjari. Pacientëve me kancer nuk u ofrohej shërbimi që duhej t’u jepej falas por orientoheshin drejt klinikës private “Megis” në pronësi të mjekut Edmond Gashi i cili i operonte shpesh herë edhe duke i alarmuar për gjendjen e tyre edhe në rastet kur situata nuk ishte serioze. Pjesë e skemës ishte edhe mjekja Alketa Pere (Ymeri) e cila sipas dosjes së përgatitur nga prokurori Valikaj, rezultonte të ishte e punësuar “në të zezë” në klinikën private të mjekut Gashi. Ndërsa zv.drejtoresha e asaj kohe, Brikena Qirjazi akuzohet se nuk ka ushtruar detyrën duke lënë jashtë funksionit pajisjen për trajtimin e kancerit, rast për të cilin kishte bërë denoncim edhe mjeku Ardian Hoti i cili foli edhe për Versus.al duke dhënë detaje mbi ngritjen e shqetësimeve të tij për rastin e rëndë.

Gjykata e Tiranës konfirmoi si më poshtë masat ndaj 7 të akuzuarve:

Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” - Shpërdorim detyre

Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” -  Shpërdorim detyre

Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT - “Detyrim paraqitje” - ''Shpërdorim detyre"

Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut - “Detyrim paraqitje” - Shpërdorim detyre

Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë - “Detyrim Paraqitje” - Shpërdorim detyre

Halil Gashi administrator i klinikës  Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” - Fshehje e te ardhurave 

Florian Marku administrator farmacie  – “Arrest shtëpie”

Për skandalin e zbuluar gjatë interpelancës së zhvilluar në Kuvend, deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu. Ndërsa në një takim që kryeministri Edi Rama pati me mjekët e Onkologjikut tha se do të ketë ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut duke vendosur qartë kufizimet për ata të cilët punojnë në klinika private përveç punës në shtet. Versus.al