
Një biznesmen që administron një prej depove farmaceutike më të njohura në Shqipëri është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas burimeve të VOX News pranë SPAK, rreth tre javë më parë agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë ushtruar kontroll në banesën e biznesmenit.
Operacioni është zhvilluar në mënyrë diskrete dhe deri tani nuk është bërë publik nga institucionet ligjzbatuese.
Gjatë kontrollit dyshohet se janë sekuestruar dokumente, materiale dhe prova të ndryshme, të cilat po analizohen në kuadër të hetimit.
Burimet bëjnë me dije se hetimet janë shtrirë edhe ndaj një familjari të afërt të ish-ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, i cili dyshohet se ka kryer transaksione financiare dhe ka pasur marrëdhënie biznesi me pronarin e depos farmaceutike.
Dokumentacioni i sekuestruar pritet të ndihmojë hetuesit në verifikimin e këtyre marrëdhënieve dhe lidhjeve të mundshme me persona të afërt të ish-ministres.
"Hetuesit po verifikojnë nëse këto marrëdhënie financiare kanë qenë të ligjshme apo nëse janë realizuar në këmbim të favorizimeve të mundshme të kompanisë farmaceutike nga institucionet shtetërore," kanë deklaruar burimet pranë SPAK.
Sipas të njëjtave burime, dyshimet e hetuesve janë përqendruar në disa pista, duke nisur nga procedurat që lidhen me përfshirjen ose zgjerimin e barnave të tregtuara nga kjo depo në listën e barnave të rimbursueshme, si edhe te procedurat tenderuese të zhvilluara nga Ministria e Shëndetësisë.

