AKTUALITET /

Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të Policisë, 30 protestues të proceduar, arrestohen 2 të tjerë

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e proceduar dyshohen se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, kanë prishur rendin dhe qetësinë publike, si dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit publik.

Shkruar nga Versus

Hodhën sende të forta dhe mjete piroteknike në drejtim të

Policia e Shtetit ka nisur procedimin penal për 30 persona dhe ka arrestuar dy të tjerë pas protestës së zhvilluar të enjten para godinës së Parlamentit, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, personat e proceduar dyshohen se kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, kanë prishur rendin dhe qetësinë publike, si dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit publik.

Në pranga kanë përfunduar O. P., 41 vjeç dhe A. I., 44 vjeçe, të cilët akuzohen për disa vepra penale, përfshirë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit, kundërshtimin e punonjësve të policisë, goditjen për shkak të detyrës dhe shkeljen e rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse.

Policia deklaron se gjatë tubimit disa pjesëmarrës kanë hedhur në drejtim të efektivëve sende të forta, mjete piroteknike dhe materiale të tjera, duke shkaktuar dëmtime te 6 punonjës policie.

Efektivët e dëmtuar kanë marrë ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Gjatë veprimeve hetimore, policia ka sekuestruar edhe kapsolla, të cilat janë gjetur në një qese plastike që mbahej nga një prej personave të arrestuar.

Ngjarja ndodhi më 23 korrik, rreth orës 09:30, në rrugën “George W. Bush”, pranë Parlamentit, gjatë një tubimi të shoqëruar me tensione.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore./Versus.al

Poll