
Pas më shumë se 9 orësh operacion nga policia për kapjen e autorit që qëlloi me armë zjarri mbi ish-vjehrrin e tij në Roskovec, plagosi gruan e tij dhe rrëmbeu të fejuarën, Refit Buzi ka vrarë veten.
Autoambulanca dhe forca të shumta policie janë afruar pranë automjetit ku ndodhet prej disa orësh 35-vjeçari. Sipas burimeve policore paraprake, ai dyshohet se ka qëlluar veten me armë zjarri.
Në vendngjarje janë futur menjëherë ekipet mjekësore dhe efektivët e policisë, ndërsa pritet konfirmimi zyrtar mbi gjendjen e tij dhe rrethanat e ngjarjes.
Megjithëse policia tentoi të negociojë, Buzi u fut brenda automjetit të tij duke vijuar rezistencën. Forcat e rendit u përpoqën ta bindin të dalë pa përdorur forcën.
Në vendngjarje u angazhuan forcat speciale RENEA, të cilat rrethuan zonën dhe morën pozicione sigurie. Efektivë të pajisur me snajperë ndodhen në terren, ndërsa perimetri është izoluar për të shmangur çdo rrezik për banorët dhe forcat e policisë.
Policia ka njoftuar zyrtarisht se ekipi negociator i RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorit, vijoi negociatat me 35-vjeçarin, me qëllim bindjen e tij për t'u dorëzuar dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
"Pavarësisht negociatave intensive, të zhvilluara që prej orëve të para të mëngjesit, 35-vjeçari nuk iu bind thirrjeve të Policisë për t'u dorëzuar dhe, rreth orës 16:35, dyshohet se është vetëvrarë me armën e gjahut që mbante me vete, brenda automjetit", thotë policia.
Ngjarja e rëndë nisi në orët e para të mëngjesit, kur Refit Buzi dyshohet se ka shkuar në banesën e ish-partneres së tij dhe ka qëlluar me armë zjarri ndaj familjarëve të saj.
Nga të shtënat humbi jetën ish-vjehrri i tij, ndërsa nëna e 24-vjeçares mbeti e plagosur. Autori mbajti peng për disa orë edhe ish-partneren e tij./Versus.al
View this post on Instagram









