
24-vjeçarja që u mo r peng për disa orë nga ish-i fejuari i saj pas ngjarjes së rëndë në Roskovec, është shoqëruar në Policinë e Fierit, ku po merret në pyetje nga grupi hetimor për të zbardhur dinamikën e krimit.
E reja u mor me vete nga 35-vjeçari Refit Buzi, menjëherë pas vrasjes së babait të saj dhe plagosjes së nënës. Sipas dyshimeve të policisë, autori ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend, ndërsa ka plagosur rëndë bashkëshorten e tij të mëparshme.
Pas krimit, Buzi është larguar me automjet së bashku me 24-vjeçaren, duke marrë me vete edhe armën e zjarrit. Pas disa orësh negociatash, e reja është liruar dhe është vënë në dispozicion të autoriteteve për të dhënë dëshminë e saj.
Ndërkohë, nëna e saj, 55-vjeçarja Belere Plaka, vijon të luftojë për jetën. Ajo ka kaluar një ndërhyrje kirurgjikale që zgjati rreth pesë orë, por mjekët bëjnë me dije se gjendja e saj mbetet e rënduar dhe ajo ndodhet nën kujdes intensiv.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e sotëm në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Policia bëri me dije se menjëherë pas marrjes së njoftimit ngriti pika kontrolli dhe nisi ndjekjen për kapjen e autorit.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit, ndërsa autoritetet po punojnë për lokalizimin dhe arrestimin e 35-vjeçarit Refit Buzi./Versus.al

