AKTUALITET /

Lezhë, shiste bizhuteri floriri dhe ora të markave luksoze me vlerë 300 mijë euro pa dokumente, arrestohet argjendari

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë.

Shkruar nga Versus

Lezhë, shiste bizhuteri floriri dhe ora të markave luksoze me

Një argjendar në Lezhë është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se tregtonte bizhuteri floriri dhe ora të markave luksoze me origjinë të dyshuar të paligjshme.

Operacioni i koduar “Final O’clock” është finalizuar nga Policia e Lezhës në bashkëpunim me Prokurorinë, pas hetimeve të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.

Në pranga ka rënë shtetasi me iniciale A. M., 39 vjeç, banues në Lezhë. Sipas policisë, ai dyshohet se siguronte dhe shiste në argjendarinë e tij sende me vlerë, për të cilat nuk kishte dokumentacion që provonte origjinën e tyre.

Gjatë kontrollit në subjektin e tij, uniformat blu sekuestruan 133 ora dore të markave luksoze, bizhuteri floriri me peshë rreth 3.3 kilogramë, si dhe shuma parash prej 270 500 lekësh dhe 2 700 eurosh.

Sipas hetimeve paraprake, orët dhe bizhuteritë dyshohet se mund të kenë qenë të vjedhura jashtë shtetit dhe të kontrabanduara më pas në Shqipëri. Vlera totale e sendeve të sekuestruara llogaritet rreth 300 mijë euro.

Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme./Versus.al

Poll