
Mëngjesin e sotëm në Gjykatën e Posaçme, është shtyrë seanca për konfirmimin e masës së arrestit ndaj ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbjas dhe Ahmet Mashës, kunatit të vëllait të tij.
Gjyqtari Ejon Bani vendosi shtyrjen e seancës pasi avokatët e 2 të arrestuarve kërkuan kohë që të njihen me aktet hetimore.
Ish-deputeti socialist u arrestua mbrëmjen e së dielës në qytetin e Durrësit teksa ndodhej në makinë me shoferin e tij. Në dosjen e SPAK, thuhej se ndaj Çyrbjas rëndojnë akuza për tre vepra të rënda penale siç janë “tregtimi i sekretit shtetëror, përkrahja e autorëve të krimit dhe korrupsion aktiv në zgjedhjet parlamentare të 2021-it.
Sipas hetimeve, në 7 raste të ndryshme, Çyrbja ka dekonspiruar operacione ndaj “kokave” të krimit të organizuar në Durrës duke i lajmëruar sapo merrte informacion. Ndërsa SPAK po heton për kapjen edhe të zyrtarëve të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale të cilët kanë bashkëpunuar me ish-deputetin e PS.
Ndër të tjera, Çyrbja ka strehuar në banesën e tij Altin Hajrin, kreun e grupit kriminal “Hajri” të Shijakut gjatë kohës që ky i fundit u shpall në kërkim nga policia për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës, ngjarje e ndodhur në janar të 2020-ës. Gjithashtu në dosje thuhet se Altin Hajri ka ndikuar që Jurgis Çyrbja të renditej i treti në listën e kandidatëve për deputetë të PS dhe ka ushtruar ndikimin e tij në zona elektorale duke blerë vota për Jurgis Çyrbjan.
Jurgis Çyrbja dyshohet se ka përdorur Ahmet Mashën për të shpërndarë para për të blerë vota në zgjedhjet parlamentare të 2021-it. Ndërsa po ashtu, Ahmet Masha rezulton të jetë edhe bashkëpunëtor i Çyrbjas në dekonspirimin e operacioneve pasi u ka shpërndarë informacion kriminelëve në Durrës sapo është vënë në dijeni lidhur me aksionet për kapjen e tyre. Versus.al







