Detaje shokuese janë zbardhur nga arrestimi i ish-deputetit Jurgis Çyrbja mbrëmjen e djeshme në Durrës nën akuzën e 3 veprave të rënda penale. Përveç arrestimit Ahmet Mashës, kunatit të vëllait të Çyrbjas, është shpallur në kërkim edhe Altin Hajri, kreu i grupit kriminal “Hajri” në Shijak i cili akuzohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Në përgjimet e zbardhura në aplikacionin “Sky Ecc” Altin Hajri komunikon me Ahmet Mashën dhe ish-anëtarin e Bandës së Durrësit, Edmond Koçin me nofkën "Mond Çekiçi" për ta futur Çyrbjan të tretin në listën e Partisë Socialiste për deputetë në qytetin bregdetar. Bisedat janë zhvilluar në janar të 2020-ës me qëllim që Çyrbja të jetë pjesë e listës së sigurt për deputetë.
Ashtu siç raportohet të jetë komunikuar, në zgjedhjet e prillit të 2021-it, Jurgis Çyrbja është pikërisht i treti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste për deputetë.
Altin Hajri është emër i njohur i botës së krimit, pasi akuzohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar të 2020-ës. Që prej asaj kohe pronari i “Golden Kompleks” në Shijak është shpallur në kërkim dhe për të është vendosur gjykimi në mungesë. Versus.al







