POLITIKË /

U arrestua mbrëmë në Durrës për lidhje me grup kriminal dhe 3 vepra të rënda, Jurgis Çyrbja në bllokun e sigurisë së lartë

Sot ish-deputetit të PS-së do t'i konfirmohet masa e arrestit me burg.

Shkruar nga Versus

U arrestua mbrëmë në Durrës për lidhje me grup kriminal

Ish-deputeti i Partisë Socialiste për qarkun e Durrësit, Jurgis Çyrbja i cili u arrestua mbrëmë me urdhër të SPAK nën akuzën e 3 veprave penale, është transferuar drejt Tiranës në bllokun e sigurisë së lartë. Arrestimi i tij u bë gjatë momentit që Çyrbja po qarkullonte nëpër qytet me automjetin që drejtohej nga shoferi i tij. Ndaj ish-ligjvënësit socialist rëndojnë akuzat për 3 vepra të rënda penale si tregtim i sekretit shtetëror, korrupsion zgjedhor dhe përkrahje e autorit të krimit. Gjithashtu mësohet se emri i deputetit shfaqet edhe në komunikimet e një grupi kriminal në aplikacionin "Sky Ecc". 

Mbrëmë në pranga ra edhe Ahmet Masha, një ish- i dënuar më parë për kontrabandë nafte në Durrës në 2013-ën dhe po ashtu në 2019-ën është marrë në pyetje për atentatin që iu bë Plarent Dervishajt, kunatit të Lulzim Berishës.

Rezulton se Masha është kunati i vëllait të ish-deputetit Jurgis Çyrbja. Të dy pritet të dalin sot para GJKKO ku do t’u komunikohet edhe masa e sigurisë ‘arrest me burg’.

Më 8 tetor, Jurgis Çyrbja u paraqit në SPAK për herë të parë ku qëndroi për rreth 5 orë. Pasi doli nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme ai nuk dha informacione për gazetarët. Ndërsa 2 ditë më vonë, më datë 10 tetor, dorëzoi mandatin e deputetit me arsyetimin e gënjeshtërt se do të bënte një ndërhyrje kirurgjikale që do t’i zgjaste rreth 3 muaj, duke i pamundësuar angazhimin politik. Por arsyetimi i tij, shpejt doli në pah si i rremë pasi vetëm një ditë më pas Çyrbja u paraqit sërish në SPAK, më 11 tetor u mor zyrtarisht i pandehur dhe sërish para gazetarëve e mohoi.

Mbrëmjen e djeshme, u krye arrestimi i tij teksa qarkullonte me shoferin e tij në qytetin e Durrësit. Fillimisht ish-deputeti u dërgua në komisariatin e policisë rajonale dhe më pas u transportua drejt Tiranës. Versus.al

Poll