AKTUALITET /

“Tingulli i Lirës Antike” magjeps Himarën, udhëtimi kulturor vijon drejt Tiranës

Edicioni XVI i “Takimeve Muzikore të Dy Boteve” sjell në Shqipëri lirën antike greke, duke promovuar dialogun kulturor, edukimin artistik dhe ruajtjen e trashëgimisë mes Shqipërisë dhe Greqisë

Shkruar nga Versus

“Tingulli i Lirës Antike” magjeps Himarën, udhëtimi

HIMARË – Tingujt e një prej instrumenteve më të lashta të historisë njerëzore kanë jehuar në brigjet e Rivierës Shqiptare. Në kuadër të edicionit të XVI të “Takimeve Muzikore të Dy Boteve”, projekti “Tingulli i Lirës Antike” nisi rrugëtimin e tij nga Himara, duke sjellë për publikun një përvojë të rrallë artistike dhe kulturore që ndërthur muzikën, historinë dhe trashëgiminë e lashtë.

Aktivitetet nisën më 6 qershor në Sallën “Neço Muko”, ku u zhvillua sesioni trajnues “Një Portë drejt Artit të Lashtë të Lirës”. Nën drejtimin e studiuesit dhe muzikantit të njohur grek, Dr. Nikolaos Xanthoulis, nxënësit e shkollave të Himarës u njohën nga afër me historinë dhe teknikën e interpretimit të lirës antike greke. Trajnimi kulmoi me një performancë të përbashkët mes fëmijëve himariotë dhe artistëve grekë, duke krijuar një atmosferë të veçantë bashkëpunimi dhe shkëmbimi kulturor.
Mbrëmjen e 7 qershorit, Shetitorja e Himarës u kthye në një skenë të hapur ku publiku ndoqi me interes koncertin “Tingulli i Lirës Antike”. Artistët Nikolaos Xanthoulis (lirë-varvitos antike greke dhe vokal), Sophia Karakouta (vokal) dhe Evanghelia Kopsalidou (lirë antike greke) sollën një udhëtim muzikor në kohën kur muzika dhe poezia ishin të pandashme, duke rikthyer në jetë mitet dhe legjendat e Greqisë së Lashtë.

 

Koncerti u prit me entuziazëm nga banorët e Himarës, turistët vendas dhe të huaj, të cilët e cilësuan këtë aktivitet si një nga ngjarjet më cilësore kulturore të sezonit veror në Rivierën Shqiptare.

Në fjalën e saj përshëndetëse, nënkryetarja e Bashkisë Himarë, Erifili Berberi, theksoi rëndësinë e promovimit të kulturës gjatë gjithë vitit.

“Arti, kultura dhe tradita na bashkojnë sonte në një atmosferë të veçantë. Bashkia Himarë është e angazhuar të promovojë kulturën dhe artin gjatë gjithë vitit”, u shpreh ajo.

Ndërsa drejtuesja e Shoqatës Argjiro, Ilda Mara, e cilësoi këtë aktivitet si një urë komunikimi mes kulturave.

“Kjo mbrëmje është një festë e kulturës dhe dialogut midis dy botëve, një udhëtim në kohë përmes tingujve magjikë të lirës antike”, tha Mara.
Pas suksesit në Himarë, projekti vijon në Tiranë. Më 9 qershor, në orën 18:30, në Muzeun Arkeologjik, do të mbahet Koncert-Konferenca “Nga Lira e Lashtësisë drejt Teatrit Lirik”, ku Dr. Nikolaos Xanthoulis do të ndërthurë interpretimin muzikor me kërkimin shkencor, duke sjellë për publikun historinë e evolucionit të lirës antike dhe ndikimin e saj në traditën evropiane të teatrit lirik.

Projekti organizohet nga Shoqata Argjiro në bashkëpunim me Akademinë Ndërkombëtare të Lirës (ILS Academy) dhe Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, me mbështetjen e Bashkisë Himarë.

Sipas organizatorëve, edicioni i këtij viti i “Takimeve Muzikore të Dy Boteve” i kushtohet ruajtjes, promovimit dhe transmetimit të lirës antike greke dhe lahutës shqiptare. Pas Himarës dhe Tiranës, aktivitetet do të vijojnë në Paris gjatë vjeshtës, ku në qendër të vëmendjes do të jenë lahuta dhe xhubleta shqiptare.

Përmes muzikës, edukimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor, ky projekt synon të krijojë ura dialogu mes popujve dhe brezave, duke dëshmuar se trashëgimia kulturore mbetet një nga mënyrat më të fuqishme për të lidhur të shkuarën me të ardhmen. Versus.al

Poll