AKTUALITET /

Trafik pistoletash nga Kosova, arrestohen 4 anëtarët e grupit kriminal! Sekuestrohen 10 armë zjarri, shiteshin në Tiranë deri në 3 mijë euro

Katër të rinj nga Kosova janë arrestuar si pjesëtarë të grupit kriminal që tentoi të trafikonte 10 armë zjarri “pistoletë” drejt Shqipërisë.

Shkruar nga Versus
Trafik pistoletash nga Kosova, arrestohen 4 anëtarët e grupit
Momenti i arrestimit dhe armët e sekuestruara

Një grup kriminal që merrej me trafikun e armëve të zjarrit tip “Pistoletë” nga Kosova drejt Shqipërisë, është goditur nga policia e Tiranës gjatë vijimit të operacionit “Sundimi i Ligjit”.

Në vendparkimin e një terminali të autobusëve në Lundër ku u gjetën 10 armë zjarri “pistoletë” dhe 10 krehra e sasi municioni luftarak, u arrestuan në flagrancë: Blerim Krasniqi, 28 vjeç, Benjamin Shala 20 vjeç, Edonis Thaçi, 25 vjeç dhe Muhamet Krasniqi, 20 vjeç.

Katër të rinjtë dyshohet se kishin trafikuar armët në Tiranë me qëllim shitjen e tyre me çmime nga 1500 deri në 3000 euro.

Plani i ndjekur për trafikun e armëve

Blerim Krasniqi kishte vendosur në autobusin e drejtuar nga Edonis Thaçi çantën brenda së cilës u gjetën armët e zjarrit dhe sasia e municionit luftarak.  Më pas Blerim Krasniqi dhe Muhamet Krasniqi kanë ndjekur me automjetin e tyre autobusin gjatë itinerarit të përshkruar.

Sipas policisë, pronari i linjës së autobusëve, Edonis Thaçi së bashku me persona të tjerë, ka trafikuar armë zjarri drejt Shqipërisë në disa raste.

Poll