Trafiku në Tiranë është një problem i madh për banorët e kryeqytetit, por edhe për të gjithë vizitorët e tjerë të cilët janë të detyruar të mbërrijnë me qëllim kryerjen e punëve të ndryshme.
Një prej arsyeve të trafikut aq të lodhshëm të kryeqytetit, përveç pranisë së madhe të mjeteve, është edhe parkimi i tyre në vendet nga më të papërshtatshmet.
Për këtë arsye, duke qenë se fluksi i mjeteve pritet të shtohet me ardhjen e emigrantëve për festat e fundvitit, Policia Rrugore e Tiranës ka përpiluar një plan të veçantë operacional për ditët e festave me qëllim shmangien e radhëve të gjata në trafik.
“Duke filluar që nga e nesër është futur në zbatim plani operacional për menaxhimin e festave të fundvitit dhe të gjitha shërbimet e policisë do të jenë me orar të zgjatur, 12 oraresh dhe kjo do të ndikoj direkt në shtimin e forcave të policisë në prezencë jo vetëm në segmentet e kryeqytetit, por dhe në rrugët interurbane kryesore, pavarësisht kushteve atmosferike", u shpreh për Report TV Gerhard Baka , Specialist i policisë Rrugore të Tiranës. Versus.al








