AKTUALITET /

Tragjedi në Britani/ Askush prej shokëve nuk i hapi derën, shqiptari fjeti në kosh mbeturinash dhe vdiq pasi u shtyp nga kamioni

Shkruar nga Versus
Tragjedi në Britani/ Askush prej shokëve nuk i hapi derën,
Viktima, Sajmir Beca

Britani e Madhe- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Northampton gjatë orëve të para të mëngjesit të 31 tetorit ku një 30 vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë.

I riu shqiptar Sajmir Beca pati një fat vërtet tragjik teksa flinte në një kosh mbeturinash për të përballuar të ftohtin pasi kishte mbetur jashtë. Ai nuk ishte person i pastrehë, por atë natë nuk gjeti ndihmë nga miqtë e tij të cilët nuk e pranuan në shtëpi dhe për pasojë u detyrua të gjente një vend për të fjetur.

Fqinjët u zgjuan nga britmat që vinin nga kamioni para se ambulance dhe policia të mbërrinin në vendngjarje. Koshi i mbeturinave ku 30 vjeçari ishte futur për të fjetur, u hodh në kamionin e mbetjeve duke bërë që Beca të pësonte lëndime në legen dhe gjymtyrët e poshtme.

Tragjedi në Britani/ Askush prej shokëve nuk i hapi derën,
Vendi ku i riu ishte shtrirë për të fjetur

Pavarësisht se u dërgua në spital, nuk mundi t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë më 6 nëntor. Trupi i pajetë u është sjellë familjarëve në Kukës ku është përcjellë për në banesën e fundit.

Një mikeshë e tij duke folur për mediat britanike tha se ndihej keq për mënyrën sesi 30 vjeçari vdiq dhe për faktin se askush nuk e kishte ndihmuar. Ndërsa brengë kishte faktin se përse i riu nuk ishte përpjekur të telefononte burrin e saj të cilin e kishte shok pasi ata do ta kishin ndihmuar.  

"Na vjen shumë keq dhe duam që ai të mbahet mend ashtu siç ishte, jo për mënyrën se si vdiq.  Ai ishte një njeri i shkëlqyer, një djalë shumë punëtor. Ndihem shumë e trishtuar. Burri im, nuk mund të ndalonte së qari, sepse po mendonte pse nuk u përpoq ta telefononte. Ai i telefonoi të gjithë këta njerëz të tjerë, por jo atë. Do t’i thoja të vinte të flinte në shtëpinë tonë ose, e dini, çfarëdo qoftë, por ai nuk erdhi sepse ndoshta ndihej i turpëruar”- u shpreh ajo. Versus.al

Poll