
Korçë- Një ngjarje e rëndë tronditi dje vendin pasi një nën 38 vjeçare dhe djali i saj 14 vjeçar, humbën jetën në Maliq si pasojë e asfiksisë nga zjarri që përfshiu banesën e tyre. Merjeme Hazisllari dhe djali i saj Luka, do të përcillen sot për në banesën e fundit, ndërsa vajza e mitur 6 vjeçare ende po merr ndihmë mjekësore në QSUT.
Ndërkohë, Sadik Halili, shefi i shërbimit zjarrfikës në Maliq ka deklaruar se në momentin që kishin mbërritur në vendngjarje, nuk kishin parë zjarr brenda banesës, ndërsa fëmijët ishin jashtë, djali në gjendje të pavetëdijshme. Halili zbuloi se nënën e kishin gjetur të pajetë në derën e kuzhinës dhe se shkaku për zjarrin ende nuk është përcaktuar.
“Njoftimin e kemi marrë rreth orës 13.30 të datës 19 tetor, nga salla operative e policisë. Menjëherë kemi arritur në vendin e ngjarjes për 1 minutë pasi distanca është e afërt. Kur kemi mbërritur në vendin e ngjarjes zjarr nuk ka pasur brenda në banesë dhe të dy fëmijët edhe djalin edhe vajzën i kemi gjetur përjashta. Djali ka qenë i pavetëdijshëm kurse vajza e vetëdijshme dhe tek dera e kuzhinës kemi gjetur të asfiksuar nënën e tyre e cila kishte ndëruar jetë. Njoftuam ambulancën, ju dhamë ndihmën e parë i dërguam në spitalin e Korçës. Për këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor pjesë e të cilit jam edhe unë për të gjetur shkakun e zjarrit. Për momentin kemi dy versione: brenda në kuzhinë ka qenë soba me dru zjarri e ndezur ndërsa poshtë në dysheme kemi gjetur disa fije shkrepëse të ndezura. Nuk mund të themi ende pistën përfundimtare”, tha ai. Versus.al







