
Policia e Lezhës ka zbardhur detaje nga ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e sotme në zonën e Ranës së Hedhun, ku pesë të rinj nga Kosova janë futur në det për t’u larë dhe janë përballur me dallgë të forta të shkaktuara nga era.
Sipas Policisë së Shtetit, rreth orës 16:30 është marrë njoftimi se disa shtetas ndodheshin në vështirësi në det dhe rrezikonin mbytjen.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, Policia e Lezhës dhe ekipet e emergjencës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të qytetarëve me Jet Ski, u bë e mundur nxjerrja nga deti e pesë personave, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal të Lezhës për ndihmë mjekësore.
Sipas njoftimit paraprak nga spitali, dy prej të rinjve kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi i plotë
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 16:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se në zonën e Ranës së Hedhun, në Shëngjin, disa shtetas që ishin futur në det për t’u larë, si pasojë e dallgëve të shkaktuara nga era e fortë, ndodheshin në vështirësi dhe rrezikonin të mbyteshin.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në adresën e dhënë kanë shkuar shërbimet e Policisë Kufitare, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, si dhe ato të emergjencës.
Falë reagimit të menjëhershëm të qytetarëve me Jet Ski, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë, u bë e mundur nxjerrja nga deti e 5 shtetasve nga Kosova, të cilët u transportuan me urgjencë në Spitalin Rajonal Lezhë për marrjen e ndihmës mjekësore.
Sipas informacionit paraprak nga Urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, 2 prej shtetasve kanë humbur jetën, ndërsa 3 shtetasit e tjerë po marrin ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

