
Tiranë- Është shtyrë për në datën 20 qershor seanca e përcaktuar për t’u mbajtur sot në gjykatën e Apelit ndaj ish-kryebashkiakut të Kukësit Safet Gjici.
Shkak për shtyrjen e seancës është bërë mosparaqitja në gjyq e Alma Kaçit e cila shfaqej në videon e skandalit të filmuar në zyrën e ish-kryebashkiakut të Kukësit.
Në 7 shkurt të këtij viti, Gjykata e Posaçme dënoi Safet Gjicin me 3 vite burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës por si pasojë e gjykimit të shkurtuar, Gjici do të vuajë vetëm 2 vite burg. Gjithashtu Gjicit iu hoq e drejta e ushtrimit të posteve publike për një periudhë 5 vjeçare.
Ndërsa për Alma Kaçin, gjykata vendosi dënim me 1 vit e 6 muaj, me gjykim të shkurtuar dënimi zbriti në 1 vit heqje lirie. Ndaj kësaj të fundit u ngrit akuza e “Prostitucionit”.
Skandali tronditi qytetin e Kukësit vetëm pak kohë pas zgjedhjeve kur u publikua videoja e skandalit seksual në zyrën e kryetarit të bashkisë ku Gjici shfaqej në momente intime me Alma Kaçin e cila kishte shkuar në bashki për të folur mbi mundësinë e fitimit të një tenderi për trajtimin e qenve të rrugës. Ajo pretendoi më pas se videon e kishte regjistruar me qëllim realizimin e një kamere të fshehtë. Versus.al







