AKTUALITET /

U dënua se tentoi të korruptonte gjyqtarin, Apeli rikthen në burg ish-kryeavokatin e Korçës

Shkruar nga Versus
U dënua se tentoi të korruptonte gjyqtarin, Apeli rikthen në burg
Arben Lena, ish-kreu i dhomës së Avokatisë në Korçë

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së parë për ish-kryetarin e Dhomës së Avokatisë Korçë Arben Lena që u dënua me 3 vite burg por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfiton zbritjen me 1/3 e dënimit. Lena akuzohet për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” kryer në bashkëpunim. Sipas përllogaritjes së afateve, avokati do duhet të kthehet në qeli për të kryer pjesën e mbetur të dënimit prej 7 muajsh.

Kujtojmë se avokati arrestua në janar të vitit 2024, me dyshimin se do të ndikonte në gjykatën e apelit të Korçës për lirimin e një të arrestuari për trafik klandestinësh, ndërsa në maj iu ndryshua masa në arrest shtëpie.

Me vendimin e Gjyaktës, Lenës i ndalohet edhe ushtrimi i funksionit për një afat 3 vjeçar.  Lidhur me këtë çështja u dënua edhe Nikolla Hafësllari me 1 vit burg, Nikolla Jesku po ashtu me 1 vit ndërsa Dajana Kodra me shërbim prove. Dritan Tabaku u shpall i pafajshëm lidhur me akuzën që ishte ngritur ndaj tij për moskallëzim krimi. Me 1 vit e 4 muaj u dënua Blerand Koziçi me 8 muaj Artiana Koziçi, për të cilën pezullohet vuajta e dënimit me kusht. Sipas SPAK, personat e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u përpoqën të lehtësojnë procedurën juridike të të arrestuarit Leard Koziçi që ishte dënuar për trafikim klandestinësh. Versus.al

Poll