
Elbasan- Banorët e fshatit Pajovë të Peqini kanë organizuar një protestë që pritet të mbahet ditën e nesërme në orën 10:00 në vendin ku humbi jetën vogëlushi 8 vjeçar Enio Tabaku i cili u përplas nga makina.
I mituri po qëndronte në anë të rrugës në trotuar kur një automjet tip “Volkswagen” u përplas me një mjet tip Audi duke sjellë më pas edhe përfundimin e një makine jashtë rruge, e cila përplasi vogëlushin.
Protesta e organizuar ka si qëllim thirrjen për plotësimin e disa kërkesave si rregullimi i qarkullimit rrugor në atë zonë, duke vendosur kufizim shpejtësie dhe tabela të qarkullimit, në mënyrë që ngjarje tragjike si kjo e fundit, të mos përsëriten më.
Detajet rrënqethëse pas ngjarjes zbuluan se i mituri blinte lule për t’i dërguar në varrin e nënës së tij që kishte ndërruar jetë pak kohë më parë.
Për ngjarjen janë arrestuar të dy drejtuesit e automjeteve që u përfshinë në aksidentin që i mori jetën të miturit. Versus.al








