24 vjeçarja palestineze Ryyan Alwan e cila u gjet e vrarë një javë më parë në Tiranë, ishte nënë e dy fëmijëve që kishte me ish-bashkëshortin e saj i cili jeton aktualisht në Liban.
Hetimet zbuluan se vrasësi me thikë ishte Fadi Alwan, babai i të resë palestineze me të cilën në Rinas ishin prezantuar si çift. Mësohet se autori dhe e gjithë familja e 24 vjeçares e kërcënonin këtë të fundit që të ishte praktikante e rregullt e fesë islame edhe pse ajo nuk e donte diçka të tillë.
“Sipas informacioneve vajza në Janar të 2024 ka denoncuar në policinë gjermane se kërcënohej nga i ati, dy vëllezërit e saj dhe mamaja për shkak se ajo donte të jetonte një jetë lirë dhe demokratike. Ata nuk ishin dakord me zgjedhjet që ajo kishte bërë. Si duket hetimet janë orientuar drejt kësaj piste. Familjarë të tjerë të vajzës jetojnë në Berlin. Policia gjermane i ka sjellë autoriteteve shqiptare informacion se 24-vjeçarja rezulton të jetë e martuar dhe e divorcuar gjithashtu dhe, bashkëshorti i saj jeton në Liban bashkë me fëmijët e tyre”, deklaroi gazetarja Bleona Metushi në studion e “Opinion”.
Dyshohet se krimi ishte kryer më datë 22 shkurt, pasi në atë datë rezulton që autori 49 vjeçar të jetë larguar nga Rinasi drejt Greqisë dhe më pas në Gjermani. Trupi i pajetë i 24 vjeçares u gjet nga personi që u kishte dhënë apartamentin me qira. Autoritetet shqiptare e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar 49 vjeçarin palestinez. Versus.al








