Një operacion i madh antidrogë po zhvillohet mbrëmjen e sotme (15 nëntor) në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
Operacioni është drejtuar nga policia spanjolle, në bashkëpunim me SPAK. Kanë qenë hetuesit spanjollë që kanë zbuluar rrjetin e trafikut të kokainës.
Ata kanë kërkuar ndihmën e autoriteteve shqiptare dhe këtu ka hyrë në lojë SPAK. Deri më tani, janë gjetur dy laboratorë kokaine, njëri në zonën e Kodrës së Diellit 2 në Tiranë dhe tjetri në fshatin Qerekë të Krujës, një zonë pak e rrahur nga policia.
Deri më tani mësohet se janë disa persona të arrestuar, mes të cilëve edhe një biznesmen, ndërsa emrat e të ndaluarve ende nuk janë zbuluar.
Forca të shumta policie kanë shkuar në zonën e Kodrës së Diellit 2, ndërsa hyrjet daljet në zonat e dyshuara kanë qenë të kufizuara.
Nuk dihet ende se sa është sasia e kokainës së sekuestruar, pasi pritet një komunikim zyrtar.
Ky aksion është rezultat i një hetimi të zgjeruar që ka zgjatur për disa muaj, gjatë të cilit janë zbuluar veprimet e një rrjeti trafikantësh droge që vepronte në këtë zonë.







