
Një zjarr masiv ka shpërthyer mbrëmjen e djeshme në afërsi të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, i cili ka shkaktuar lëndime njerëzish dhe dëme materiale.
Malë Gashi, Shefi i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë dha disa detaje për sa i përket vendit të shpërthimit.
“Informacioni është pranuar rreth orës 01:15 për zjarr në një lokal në rrugën e Aeroportit në Go Karting. Në vendngjarje lokali në fjalë kishte dy pjesë, pjesa e marketit dhe pjesa e garazheve për karting e cila ishte përfshirë e tëra në flakë”, ka thënë Gashi.
Ai ka shtuar se dy persona janë lënduar dhe kanë mbetur me djegie në fytyrë dhe duar gjatë tentativës për ta shuar zjarrin.
“Pjesa e marketit nuk është djegur përveç dritareve që janë thyer nga temperatura. Dy persona gjatë tentimit për ta shuar zjarrin kanë pësuar djegie në fytyrë e duar dhe janë dërguar në spital për trajtim”, shtoi Gashi, për Telegraf.
Një reagim ka bërë edhe zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti e cila deklaroi se ka vetëm një të lënduar dhe nga zjarri janë përfshirë rreth 20 automjete.
“Nga zjarri janë përfshirë 20 makina të parkuara dhe një objekt biznesi. Në këtë rast është lënduar një person dhe janë shkaktuar dëme materiale” ka deklaruar Ahmeti.
Zëdhënsja tha se personi i lënduar po merr ndihmën e nevojshme mjekësore në spital, ndërsa organet e shtetit po merren me identifikimin e shkaqeve konkrete të shpërthimit.
/ Versus.al







