Kthimi i pushuesve në shtëpitë e tyre pas dy fundjavës në bregdet, ka bërë që të ketë trafik të madh makinas drejt Tiranës dhe doganës së Morinit në Kukës.
Njoftimi i Policisë Rrugore:
Nisur nga fluksi shumë i madh i lëvizjes së automjeteve nga zonat bregdetare drejt Tiranës dhe Morinit, Policia Rrugore ka rritur prezencën e shërbimeve në akset rrugore nacionale dhe në ato hyrëse në qendrat urbane.
Për shkak të fluksit të madh, ka ngadalësim të lëvizjes në akset rrugore Shëngjin-Lezhë-Milot, Gjiri i Lalzit-Vorë, Rrogozhinë-Bradashesh, dhe Librazhd-Bradashesh, por në asnjë moment nuk ka bllokim të lëvizjes.
Fluks të shtuar ka dhe në rrugët interurbane Durrës-Tiranë dhe Elbasan-Tiranë.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e automjeteve të qëndrojnë në radhë, të mos kryejnë parakalime të gabuara, të respektojnë shpejtësinë në akset që nuk ka fluks të shtuar si dhe të përdorin rrugë alternative.
Shërbimet e Policisë Rrugore po përdorin të gjitha mjetet logjistike për të monitoruar qarkullimin me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe eliminimin e vonesave apo bllokimeve për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.







