AKTUALITET /

VIDEO/ U rrëmbye dhe më pas u vra nga “miku i tij”? Pamje të reja të Armand Shakajt kur largon motorin e 34-vjeçarit

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, shihet se si i dyshuari kryesor për vrasjen, Armand Shakaj ose “Mand dhelpra”  largon motorin e Koçit dhe pas disa minutash kthehet në këmbë

Shkruar nga Versus

VIDEO/ U rrëmbye dhe më pas u vra nga “miku i tij”? Pamje

Publikohen pamje të reja të ngjarjes së 6 qershorit, ku dyshohet se një 34-vjeçar, Eglant Koçi, u mor peng dhe më pas trupi i tij u zhduk, për të cilin policia vijon akoma kërkimet.

Nga pamjet e kamerave të sigurisë, shihet se si i dyshuari kryesor për vrasjen, Armand Shakaj ose “Mand dhelpra”  largon motorin e Koçit dhe pas disa minutash kthehet në këmbë.

Motori u gjet 2 ditë pas zhdukjes së 34-vjeçarit.

Të martën u publikua edhe fotografia e fundit e fiksuar nga kamerat e sigurisë e Koçit. Dyshimet e deritanishme të hetuesve të Krimeve të Rënda në Policinë e Tiranës lidhen me një sasi parash digjitale që 34-vjeçari posedonte në aparatin e tij cellular.

Kjo pistë po konsiderohet si një nga motivet kryesore që mund të ketë çuar në rrëmbimin e tij.

Sipas Policisë, si autor i dyshuar i rrëmbimit është Armand Shaka, 41 vjeç, i cili dyshohet se ka mbajtur peng Eglant Koçin. Hetuesit po përpiqen të zbardhin nëse ai ka vepruar i vetëm apo me urdhër të personave të tjerë.

Nga veprimet hetimore është bërë e mundur gjetja e motomjetit të 34-vjeçarit, si dhe identifikimi i ambientit ku ai dyshohet se ka hyrë për herë të fundit. Sipas provave të mbledhura deri tani, nga ky ambient ka dalë vetëm autori i dyshuar, i cili mendohet se mund ta ketë transportuar më pas 34-vjeçarin me automjet.

Kontrolle të shumta janë ushtruar në ambientin ku dyshohet se është mbajtur peng i riu, si dhe në zona të tjera, por deri tani nuk është bërë e mundur gjetja e tij.

Në kuadër të hetimeve është arrestuar edhe Enea Zyferi, 25 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi dyshohet se ka ndihmuar Armand Shakën pas ngjarjes.

Ndërkohë, automjeti me të cilin dyshohet se është transportuar Eglant Koçi është gjetur dhe sekuestruar si provë materiale.Versus.al

 

 

Poll