
Policia e Tiranës ka ndërhyrë në dy raste të zënies së paligjshme të hapësirave publike në rrugën “Sami Frashëri” dhe në zonën e Astirit, duke liruar territorin dhe proceduar penalisht dy shtetas.
Në rastin e parë, në rrugën “Sami Frashëri”, një 26-vjeçar, A. M., kishte zënë një hapësirë publike, të cilën e përdorte si vendparkim privat.
Gjithashtu, ai kishte vendosur në pronën e tij një kontenier pa autorizim nga organet përkatëse. Ndaj tij është nisur procedim penal në gjendje të lirë për zënie të paligjshme të hapësirës publike.
Ndërkohë, në zonën e Astirit, konkretisht në rrugën “Teodor Keko”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT), konstatuan një tjetër hapësirë publike të zënë dhe të shndërruar në ambient bar-kafe. Për këtë rast është proceduar penalisht shtetasi F. T., 34 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.
Policia e Tiranës thekson se do të vijojë me vendosmëri operacionet për të mbrojtur hapësirat publike nga çdo tentativë për pushtim të paligjshëm, duke ftuar qytetarët të denoncojnë raste të tilla në numrin falas./Versus.al







