
Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e kësaj të diele Pyllin e Sodës, pranë aksit rrugor që të çon drejt plazhit të Zvërnecit në Vlorë.
Sipas medieve flakët janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era e fortë, duke rrezikuar sipërfaqe pyjore në zonë.
Përveç zjarrit në Pyllin e Sodës, ndërhyrje po kryhen edhe në Dukat, pranë tunelit të Llogarasë, në zonën e Parkut të Mallrave dhe në Triport.
Deri në këto momente nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit dhe as sipërfaqja e përfshirë nga flakët.
Menjëherë pas njoftimit për zjarrin, në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe vënien e situatës nën kontroll.
Ndërhyrja e ekipeve zjarrfikëse vijon me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve në sipërfaqe të tjera pyjore dhe mbrojtjen e zonës përreth.
Pylli i Sodës është një nga hapësirat e gjelbra me rëndësi pranë qytetit të Vlorës, ndërsa gjatë muajve të verës rreziku për zjarre shtohet për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve të favorshme për përhapjen e tyre./Versus.al
View this post on Instagram

