
Rozalinda Plaka, 24-vjeçarja nga Roskoveci e cila u mor peng nga ish-i fejuari një ditë më parë, ka dëshmuar në polici për ngjarjen që tronditi mbarë opinionin shoqëror ku mbetën të vrarë prindërit e 24-vjeçares dhe më pas tragjedia përfundoi me vetëvrasjen e autorit, Refit Buzi.
Por nga dëshmia e parë dhënë në polici, vajza nuk ka ndihmuar në zbardhjen e motiveve që çuan 35-vjeçarin të kryente krimin e rëndë e më pas t’i jepte fund jetës, pas rreth 10 orësh negociata me Policinë dhe forcat RENEA.
Sipas burimeve, Rozalinda Plaka ka deklaruar se ishte në gjumë kur dëgjoi zhurma brenda banesës. Pasi u zgjua, ajo pa ish-partnerin e saj të armatosur me një armë gjahu në dhomë.
“Më kërcënoi të shkoja në makinë me të dhe ta ndiqja nga pas”, mësohet të ketë dëshmuar ajo para hetuesve.
24-vjeçarja ka rrëfyer se në ato momente nuk e kishte kuptuar çfarë kishte ndodhur në shtëpi. Ajo ka parë vetëm babanë e saj, Kosta Plaka, të shtrirë në kuzhinë, ndërsa nënën, Belere Plaka, nuk ka arritur ta shohë.
Hetuesit synojnë ta marrin sërish në pyetje të renë për të sqaruar rrethanat që lidhen me motivin e ngjarjes, përfshirë marrëdhënien e saj me Refit Buzin dhe pretendimet e këtij të fundit se i kishte dërguar nga Anglia 830 mijë paund për t’i ruajtur, shumë që, sipas tij, nuk i ishte kthyer.
Deri më tani, 24-vjeçarja nuk ka dhënë shpjegime lidhur me këto pretendime.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 korrik në fshatin Vidhisht të Roskovecit. Refit Buzi vrau me armë zjarri Kosta Plakën dhe plagosi rëndë bashkëshorten e tij, Belere Plaka, e cila humbi jetën më pas në spital. Pas krimit, ai mbajti peng ish-partneren e tij dhe u mbyll në automjet, ku pas rreth 10 orësh negociata me Policinë dhe forcat RENEA, kreu vetëvrasje./Versus.al

