
Një 38-vjeçar është arrestuar nga Policia e Dibrës, pasi dyshohet se qëlloi me armë zjarri në ajër për të kanosur disa shtetas. Në kuadër të hetimeve, policia ka proceduar penalisht edhe nëntë persona të tjerë, mes tyre një 19-vjeçar si bashkëpunëtor i dyshuar, tetë shtetas për moskallëzim krimi dhe një 44-vjeçar për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Sipas njoftimit zyrtar, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Dibër, zbardhën rrethanat e ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 24 korrikut 2026 në bulevardin "Elez Isufi".
Në pranga përfundoi shtetasi me inicialet F. I., 38 vjeç, banues në fshatin Pollozhan, ndërsa u procedua në gjendje të lirë K. I., 19 vjeç, gjithashtu banues në Pollozhan.
Nga hetimet paraprake rezulton se 38-vjeçari, në bashkëpunim me 19-vjeçarin, ka qëlluar në ajër me armë zjarri për të kanosur gjashtë shtetas, banues në Peshkopi dhe Pollozhan.
Për këta persona, si dhe për dy shtetas të tjerë, Policia ka nisur procedim penal për veprën penale "Moskallëzimi i krimit", pasi dyshohet se kanë pasur dijeni për ngjarjen, por nuk e kanë kallëzuar atë pranë organeve ligjzbatuese.
Ndërkohë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë edhe për një 44-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer veprime që kanë penguar zbulimin e së vërtetës./Versus.al

