
Tiranë- Prokuroria e kryeqytetit kishte nisur që prej muajit korrik hetimet lidhur me skandalin e publikuar së fundmi nga mediat italiane ku shtetas italianë blinin diploma false në kolegjin universitar “Wisdom” kundrejt shumave deri në 10 mijë euro.
Mësohet se shkak për hetimet është bërë një kallëzim i bërë nga rektori Bajram Hysaj në muajin korrik ku pretendonte se i ishte falsifikuar firma në lëshimin e disa diplomave.
Burime për Versus.al bëjnë me dije se prokuroria e Tiranës ka zhvilluar kontrolle në ambientet e kolegjit ku janë sekuestruar dokumente të cilat dyshohet se janë falsifikuar për të pajisur me diploma false shtetas të huaj. Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për akuzën “falsifikim i dokumenteve” ndërsa nuk është sqaruar ende nëse ka procedim lidhur me dyshimet e dala nga përgjimet ku flitet për dhurata deri në 1200 euro për drejtoreshën e ASCAL Shqiponja Telhaj.
Skandali me diplomat që shiteshin me çmime deri në 10 mijë euro u raportua fillimisht nga Versus.al që zbardhi dosjen e prokurorisë italiane ku ishin paraqitur edhe përgjimet e kryera për pronarët italianë të Wisdom gjatë periudhës 3 vjeçare nga 2019 deri në 2022-in.
Ndërkohë, në Itali janë arrestuar pronarët e kolegjit, konkretisht Lucia Catalano dhe Savino Cianci për të cilët janë zbardhur përgjime ambientale të kryera ku flasin për dhurata që bënin ndaj zyrtarëve të institucioneve zyrtare. Nën hetim për këtë çështje në Itali, janë 41 persona të cilët kishin ngritur një rrjet të shitjes së diplomave false për shtetas të huaj.
Versus.al kontaktoi deputeten socialiste Evis Kushi e cila ka mbajtur postin e ministres së Arsimit të vendit gjatë periudhës për kur bëhet fjalë të kenë ndodhur shkelje të tilla. Ajo sqaroi se ministria nuk kishte asnjë tagër të përcaktimin e anëtarëve të bordit të akreditimit dhe theksoi se nuk ka marrë asnjë dhuratë nga pronarët italianë të kolegjit pavarësisht se këta të fundit e përmendnin atë dhe vartësit e saj në listën e personave të cilëve duhej t’u dërgohej dhurat për krishtlindje.
Njoftimi i Prokurorisë së Tiranës:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë
mbi bazën e kallëzimit të shtetasit S.C në cilësinë e administratorit të shoqërisë
“Wisdom ” shpk ka regjistruar procedimin penal nr. 4148 të vitit 2024 për veprën
penale “Falsifikimi i dokumenteve shkollore” parashikuar nga neni 187/2 të Kodit
Penal.
Çështja është në fazen e hetimeve dhe informacion më i detajuar në lidhje me
veprimet hetimore në këtë fazë nuk mund t’u vihet në dispozicion përshkak të
sekretit hetimor. / Versus.al








