
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shton përpjekjet për të ndërtuar një koordinim ndërkombëtar kundër asaj që e konsideron si ringjallje të ekstremizmit të majtë me lidhje transnacionale.
Në këtë kuadër, Departamenti amerikan i Shtetit ka nisur një nismë diplomatike që përfshin dhjetëra vende, mes tyre edhe Shqipërinë.
Departamenti i Shtetit u ka dërguar në mesin e muajit qershor një kabllogram më shumë se 20 ambasadave amerikane në botë, përfshirë Ambasadën e SHBA-së në Tiranë. Dokumenti kërkonte informacion mbi aktivitetin e grupeve të ekstremit të majtë në vendet përkatëse, sipas dy personave të njohur me çështjen.
Sipas një raporti të publikuar nga The Washington Post, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka ftuar ministrat e lartë të më shumë se 60 shteteve në një samit që do të zhvillohet javën e ardhshme në Uashington. Takimi synon të diskutojë atë që administrata Trump e cilëson si "ringjallje të terrorizmit transnacional të ekstremit të majtë" dhe mënyrat për të bashkërenduar veprimet mes vendeve partnere.
Megjithatë, sipas raportit, përgjigjet e marra nga disa ambasada nuk kanë mbështetur plotësisht vlerësimin e administratës amerikane. Asnjë prej tyre nuk ka konfirmuar se ekstremizmi i majtë përbën një kërcënim me prioritet të lartë në vendin ku operon.
Raporti zbulon gjithashtu se iniciativa ka shkaktuar debat edhe brenda administratës amerikane. Disa zyrtarë kanë shprehur shqetësimin se instrumentet e luftës kundër terrorizmit mund të përdoren për të goditur aktivistë amerikanë të lidhur me lëvizjen antifashiste Antifa.
Sipas burimeve të The Washington Post, koordinatori i administratës për luftën kundër terrorizmit, Sebastian Gorka, ka diskutuar mundësinë e klasifikimit të Antifës si organizatë terroriste e huaj. Një vendim i tillë do t'u jepte autoriteteve amerikane kompetenca më të gjera hetimore, përfshirë përdorimin e mjeteve të avancuara të mbikëqyrjes.
Megjithatë, ekspertë të ligjit dhe ish-zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit argumentojnë se një klasifikim i tillë do të ishte tepër i vështirë për t'u realizuar. Sipas legjislacionit amerikan, një organizatë mund të shpallet organizatë terroriste e huaj vetëm nëse ka bazë jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara, ndërsa Antifa konsiderohet një rrjet i decentralizuar që vepron kryesisht brenda SHBA-së.
Në samitin e javës së ardhshme janë ftuar shumica e vendeve evropiane, disa shtete të Amerikës Latine, si dhe vende aziatike si India, Indonezia dhe Singapori.
Megjithatë, disa diplomatë evropianë kanë shprehur habinë për fokusin e kësaj konference, duke theksuar se në vendet e tyre ekstremizmi i majtë nuk konsiderohet një kërcënim kryesor për sigurinë kombëtare. Madje, sipas raportit, disa prej ministrave të ftuar mund të mos marrin pjesë në takim, duke përmendur angazhime të tjera diplomatike.
Takimi i 16 korrikut pritet të jetë një tjetër tregues i ndryshimit të qasjes së administratës Trump ndaj çështjeve të sigurisë dhe terrorizmit, ndërsa debati mbi mënyrën e trajtimit të lëvizjeve politike radikale vazhdon të mbetet i fortë si në SHBA, ashtu edhe mes aleatëve të saj./Versus.al

