
Ministria e Brendshme pritet që së shpejti të krijojë një zyrë të dedikuar për pasuritë e sekuestruara të anëtarëve të grupeve kriminale të cilët i kanë ngritur “perandoritë” e tyre nëpërmjet veprimtarive kriminale.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë një konference që pati sot me donatorët e huaj. Ndërsa shtoi se puna do të nisë sapo projektligji të miratohet në Kuvend.
“Objektivi i ynë i rëndësishëm gjatë këtij viti mbetet krijimi i zyrës së rikuperimit të pasurive pranë policisë së shtetit. Unë shpresoj që projektligji të miratohet shpejt dhe të fillojë zbatimi menjëherë. Është shumë e rëndësishme ngritja e kësaj zyre. Nuk ka asgjë më shumë sesa ta godasësh krimin aty ku i dhemb më shumë tek asetet dhe paratë kriminale të fituara”- u shpreh ministri.
Ai shtoi më tej se ka pasur një rritje të shpenzimeve në buxhetin e shtetit kushtuar investimeve në ministrinë e Brendshme, ndërsa theksoi se duhet të ketë një qasje të re ndaj Akademisë së Sigurisë për të bërë të mundur ofrimin e një karriere të denjë policore për të gjithë efektivët e rinj.
“Lufta kundër krimit, korrupsionit siguria kombëtare dhe publike janë prioritetet tona kryesore. Shqipëria mirëpret gjatë këtij viti më shumë se 14 milionë vizitorë të huaj dhe na duhet të bëjmë gjithçka që çertifikatën e Shqipërisë si një vend i siguritë, ta ripërsërisim edhe gjatë këtij viti ndoshta me një nivel më të ri të sigurisë publike. Gjatë vitit 2023, buxheti i ministrisë së Brendshme përbënte 3.8% të shpenzimeve të qeverisë. Këtë vit qeverisje kemi pasur një vit të dedikuar për investime të brendshme me 5% të buxhetit total të investimeve”- shtoi Balla.
Ndërsa mes të tjerash bëri edhe një bilanc mbi goditjet e kryera gjatë këtij viti ndaj grupeve kriminale në fushën e lëndëve narkotike, emigracionit të paligjshëm apo krimit ekonomik. Versus.al







