Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të hënë në Qafën e Llogarasë, ku një automjet është përfshirë nga flakët dhe është shkrumbuar plotësisht, duke u kthyer në skenë tragjedie. Policia konfirmon se brenda mjetit është gjetur trupi i djegur i një personi, i cili dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e zjarrit.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë së Vlorës, rreth orës 14:35, pas një sinjalizimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet policore janë nisur menjëherë drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”. Në mbërritje, ata kanë konstatuar një automjet që digjej dhe brenda tij, në sediljen e drejtuesit të mjetit, ndodhej trupi i pajetë i një shtetasi ende të paidentifikuar.
Dyshohet se viktima ka mbetur e bllokuar në automjet në momentin e shpërthimit të flakëve, pa mundur t’i shpëtojë zjarrit që e përfshiu mjetin në pak minuta. Automjeti është djegur thuajse plotësisht, ndërsa pamjet nga vendngjarja përshkruhen si tejet të rënda.
Në vendin e ngjarjes ndodhet grupi hetimor, i cili po vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në këtë ngjarje tragjike. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet nuk përjashtojnë asnjë pistë hetimore.

Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.

